“Do iki unë, ti do më zëvendësosh”, vajza e Mirush Kabashit tregon momentet e fundit dhe amanetin e tij

Mirush Kabashi

Mendi Kabashi, vajza e Mirush Kabashit, i cili vdiq më 5 dhjetor, ka treguar amanetin e babait të saj.

Ajo theksoi se jeta e Mirush Kabashit ka qenë mes skenës dhe familjes, duke shtuar se pasuria më e madhe që u ka lënë pas ka qenë familja.

Gjithashtu ajo tregoi dhe amanetin e fundit që i ka lënë i ati, që të fillojë rrugën në pasionin e saj, artin.

“Luftoi shumë deri në fund, luftonte për ne, për publikun. Skena ishte jeta e tij. Nuk ishte vetëm profesion por pjesa e jetës. Gjatë gjithë kohës ishte duke përsëritur tekstet, ishte shumë i apasionuar pas kësaj. Publiku ishte familja e tij e madhe. U jam shumë mirënjohëse të gjithëve që e kanë mbështetur. Për ne ai ka lënë pasurinë më të madhe në botë që është emri. Kemi qenë shumë të lidhur. Jeta e tij ndahej midis skenës dhe familjes. Me Mirushin nuk ishim vetëm babë e bij por ishim dhe shokë. Unë kam mësuar shumë nga ai.

Mirushi thoshte gjithmonë duhet 99% punë dhe 1% talent. Pasioni që përkushtohej dhe në gjëra të vogla, që e bëri atë një njeri shumë të madh. Ka qenë gjithmonë krenari e madhe sa herë thosha mbiemrin tim. Ne kuptoheshim pa folur. Unë artin e kam pasur shumë pasion por nuk e çova deri në fund ëndrrën time.

Mirushi kishte tjera plane për mua dhe unë nuk doja ta mërzisja. Nuk jam bërë pishman, por kjo s’do të thotë se jam vonë.

Deri në momentin e fundit më tha do iki unë por do jesh ti, do jesh ajo që do më zëvendësosh”, tha ajo në Euronews Albania.

ObserverKult  


Lexo edhe:

“CA PIKA SHIU RANË MBI QELQ”, POEZINË E ISMAIL KADARESË E INTERPRETON MIRUSH KABASHI

Ismail Kadare: Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult