“DokuFesti” me 90 filma të kohës dhe inovativë

“Të kohës, të rëndësishëm dhe inovativë, do t’i përshkruaja disa nga filmat e programit garues të sivjetmë”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”, për programin garues të këtij viti.

Ekipi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër ka publikuar programin e plotë garues për edicionin e 19-të. Janë gjithsej 90 filma të cilët vijnë nga 51 vende të botës dhe do të konkurrojnë në 8 seksione garuese. Risi e këtij viti është programi i ri garues “TRUTH” për filmat mes zhanrit të dokumentarëve dhe gazetarisë hulumtuese. Në anën tjetër regjisorja Dea Gjinovci me filmin e saj “Wake Up on Mars” ka bërë histori. Për herë të parë një film i një regjisoreje kosovare është bërë pjesë e garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë, transmeton ‘koha.net’.

Këtë vit temë e “DokuFestit” është “Transmisioni” dhe sipas organizatorëve, përmes saj në shumë mënyra do të vihet në pah transicioni nëpër të cilin po kalon shoqëria, teksa kuptohet që bota dhe çdo gjë po transformohet shumë shpejt.

Për shkak të pandemisë, edicioni i sivjetmë është bartur në sferën digjitale dhe do të mbahet nga 7 deri me datën 25 gusht, në një platformë online të krijuar enkas për këtë edicion, në bashkëpunim me “Festival Scope” dhe “Shift72”.