Dom Gjergj Meta: Nëse vjen një ditë e të thonë “Je më i miri”, mos u kreno!

dom gjergj meta

Nga Dom Gjergj Meta:

Nëse vjen një ditë e të thonë:
‘Je më i miri’
Mos u kreno!
Jo se nuk janë të sinqertë,
por ende nuk e kanë takuar atë tjetrin,
më të mirë se ti!

Nëse vjen një ditë e të thonë:
“Pa ty nuk është e mundur asgjë.”
Mos ia vër veshin!
Jo se nuk e besojnë atë gjë,
por ende nuk kanë parë mundësi të tjera.

Nëse vjen një ditë e të thonë:
“Më shumë se ty nuk duam kënd”
Mos ngul rrënjë aty!
Jo se nuk të duan vërtetë,
por ende nuk kanë kuptuar sa e pafund është dashuria.

Nëse vjen një ditë e të thonë:
“Vetëm ty të takon kjo gjë.”
Mos e merr atë gjë!
Jo se po mundohen të të gënjejnë,
por ende nuk e kanë kuptuar se nuk jemi zotët e asgjëje.

Nëse vjen një ditë e të thonë:
“Rrofsh sa malet”
Jeto thjesht ditët e tua!
Sepse do të vijë një ditë e as malet nuk do të jenë më.

Nëse vjen një ditë e nuk të thonë më asgjë!
E ti nuk dëshpërohesh.
Atëherë njëmend ke jetuar!
Dhe je gati për kalim e amshuar.

ObserverKult

lexo edhe:

Dom Gjergj Meta: Banesa e lumturisë është dashuria

Dom Gjergj Meta: Diktatorët Zotin e kanë për dekor,