E para ishte kanga,
kanga ishte pranë Zotit,
kanga ishte vetë Zoti!
Manej erdhi fjala –
për me mujtë me u ngjizë unë e ti.
Penelopë e zhuritun mallit,
dufin e mledhun shekujsh
t’shfryva përmbi.
Gjamë, vaj, britmë e nemë…
Ishe vonue…ama, nuri veç tu kish shtu.
ose, udha e kish ba t’veten.
Çdonjana shtojzovalle e ndeshun shtigjesh,
t’kish mblatue shkëlqim
e tana bashkë – rrëzllimin e t’pamposhtunit.
Me leti, pa pikë muni,
tan’ yjzit e zemrës m’i ndrive,
pa mujtë me t’bo zap,
pa mujtë me t’thonë nal,
pa mujtë me lshu ni za.
Si puhizë e lehtë mali
që si tutesh, as ruhesh,
m’mlove e m’bekove plot afsh
me prush dashnie lodhun pritjesh.
Farfulli dehëse…
Trup e shpirt bamun nji,
tuj flutrue qiejsh.
E para ishte kanga,
kanga ishte pranë Zotit,
kanga ishte vetë Zoti!
Manej mi këtë tokë t’bekueme
zumë ven unë, ti…e fjala,
duhej qinisë, gravu – për mos me u harru
dashnia e përgjithmonshme, e përtejshme…
Tek tani u ni thirrma mitike: Le t’bahet!