
Teorikisht, sapo botohet libri, autori duhet me u divorcu prej tij dhe me e lanë n’duer t’lexuesve. Edhe unë, po aq teorikisht, sapo dalin nga shtypi mbaj distancë prej librave të mi, duke iu shmangë kokëfortësisht shpjegimeve e interpretimeve.
Veçse librat, me sa duket, s’i respektojnë fort marrëveshjet e ndamjes. Herë pas here kthehen te autori përmes pyetjeve të lexuesve, e një prej tyre (pse 𝐆𝐫𝐮𝐞 𝐩𝐫𝐞𝐣 𝐳𝐣𝐞𝐫𝐦𝐢 e jo 𝐆𝐫𝐮𝐞 𝐞 𝐳𝐣𝐞𝐫𝐦𝐭), po m’përsëritet aq shpesh, sa heshtja jeme ka nis me u dukë ma shumë kokëfortësi se parim.
Prandaj, kësaj here po e baj nji përjashtim, edhe për faktin se pyetja kërkon ma shumë nji sqarim gjuhësor sesa nji interpretim të librit.
Po të ishte 𝐺𝑟𝑢𝑒 𝑒 𝑧𝑗𝑒𝑟𝑚𝑡 titulli do të ndërtohej mbi nji emën dhe nji mbiemën që e cilëson atë. Grueja do të ishte qendra, ndërsa mbiemri 𝑒 𝑧𝑗𝑒𝑟𝑚𝑡𝑒̈ do të tregonte se çfarë grueje asht, duke veçu nji tipar të saj dhe duke e drejtu përfytyrimin kah pasioni, vrulli, afshi e fuqia e dëshirës.
Edhe kur cilësimi bart admirim, ai lind prej nji vështrimi të jashtëm që e ka pa gruen, e ka përjetu praninë e saj dhe prej krejt asaj që ajo mundet me qenë, ka zgjedhë veç nji tipar për me e emërtu.
Këtu qëndron edhe kufini i mbiemnit: ai veçon nji cilësi dhe e nxjerr në plan të parë, por pikërisht përmes theksimit të asaj cilësie e redukton qenien veç brenda saj. Grueja e zjermtë, kështu, do të vendosej kryesisht në fushën e erotikës, ndërsa zjermi do të lexohej veç si intensitet e energji me të cilin ajo dashuron, dëshiron, apo e shpërfaq si efekti pranie mbi tjetrin.
Brenda nji libri ku trupi, dashnia dhe dëshira kanë vend qendror, ky lexim do të ishte krejt i natyrshëm, por tepër i ngushtë për gruen që merr trajtë në poezitë e mia. Sepse zjermi te grueja e librit tem t’fundit s’asht tipar apo cilësi e saj. Asht përbamje.
E pikërisht këtu fillon kuptimi i 𝐺𝑟𝑢𝑒 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑧𝑗𝑒𝑟𝑚𝑖.
Gramatikisht, 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑧𝑗𝑒𝑟𝑚𝑖 asht togfjalësh parafjalor, ndërsa parafjala 𝑝𝑟𝑒𝑗, shenjon në këtë rast landën prej së cilës asht përba grueja.
Themi “shpi prej guri”, “enë prej balte”, “tavolinë prej druni” për me tregu se prej çka janë kriju këto gjana.
Edhe te 𝐺𝑟𝑢𝑒 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑧𝑗𝑒𝑟𝑚𝑖, zjermi pushon s’qeni nji cilësi që i vishet grues dhe bahet metaforë e landës së saj të brendshme. Dallimi duket i vogël në gjuhë, por asht themelor në kuptim: e zjermtë e cilëson gruen; prej zjermi e ban atë!
Grueja e këtij libri asht prej zjermi përpara se me qenë e dashunueme, e dëshirueme, e lëndueme, e vetmueme, e rrëzueme apo e ringritun.
Prej zjermi asht marue trupi që ajo e njeh dhe e pohon si t’vetin, mendimi që s’e zbut për me u ba ma e pranueshme, zani që e përdor kur heshtja do të ishte ma e leverdishme, aftësia me thanë po e me thanë jo prej së njajtës liri, guximi me i vu në dyshim kufijtë që i janë vu, nevoja me ndryshue, me kundërshtue, me gabue, me u rrëzue e me e rindërtue veten pa kërkue leje për trajtën që merr.
Prandaj 𝐺𝑟𝑢𝑒 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑧𝑗𝑒𝑟𝑚𝑖 dashunon me tanë fuqinë e saj, ia dhuron tjetrit trupin, egërsinë e brishtësinë, e përjeton praninë e mungesën deri në dhimbje, e prapë mbetet zotnuese e plotë e vetes.
ObserverKult

Lexo edhe:
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit në librin “Grue prej zjermi”
Mërgim Bekteshi: Arkitektura poetike e qenies te libri “Grue prej zjermi”
Rami Kamberi: Poetika e trupit, identitetit dhe lirisë në librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
Sarë Gjergji: Trupi, pushteti dhe rezistenca në “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë
Donika Dabishevci: Grue prej zjermi






