Dramë kushtuar Pashko Vasës, nga Gjergj Jozef Kola


Prologu i dramës

Nga Gjergj Jozef Kola

Ju keni ndi për parimin e shejtë të kombit shqiptar, FEJA E SHQIPTARIT ASHT SHQIPTARIA“ porse nuk jeni krejt të sigurtë. E pra mbi kët’ postulat të nji kombi të ri si ai shqiptar, që doli nga rrënojat e kështjellës së qytetnimit arbnor të dhunuem nga osmanët diku nga fundi i shekullit të 18, fshehen të vërteta të mëdha, porse edhe mashtrimet ma të mëdha të historisë.
Këtu parimi i jashtëzakonshëm i të kundërtave në natyrë “sa ma e dendun terrsina aq ma e fortë drita“ realizohet nji për nji. Nëse kombet që pranojnë në themele postulate të tilla, i ndjekin ato sinqerisht, atëhere ata kombet lulëzojnë e gëzojnë nji emancipim të mrekullueshëm njerëzor, porse nëse i përdorin vetëm si mashtrim atëhere rrënojnë qytetnimin e kthehen në vetëshkatërrim.
Kjo dramë, me TRE akte historike, në TRI kohë kërkon me qenë nji dritë e fuqishme në terrin e thellë të mashtrimeve të mëdha të shekullit XXI e me ba që me triumfue e vërteta e shejtë, e madhe.
Ky postulat i jashtëzakonshëm i kombit shqiptar, paraqitet prej nji motivi tjetër po aq të jashtëzakonshëm, prej nji personaliteti të kohës, në krahnorin e të cilit rrahin dy zemra, ajo e poetit dhe ajo e politikanit, prej Pashko Vasës, shkodranit që asht njiherësh dhe krijuesi i këtij postulati kombetar.
Çka ndodh në ket zemër të prirë me mbijetue në mes të fluturimeve poetike e me ecë përmes shtigjeve realiste?
Pashko Vasa Poet e Vaso Pashë Shkodrani politikan i portës së naltë përplasen me njeni tjetrin në mënyrë që me mbijetue të dy, poeti bashkë me politikanin.
Vetëm nji poet e politikan në bashkëjetesë mundet me ba thirrje të tilla gjigande emancipuese për shoqninë: Shoqni njerzore, mos shikjo vetëm objektet e kultit, porse së pari shikjo atdheun e lirinë tande që të bashkon.
Kështu te Pashko Vasa Poet e Vaso Pasha politikan shkrihen në nji parimet njerzore e bahen model i politikanit të sotëm e të përbotshëm.
Pashko Vasa, ky shkodran i jashtëzakonshëm, poet e linguist, asht i vetmi shqiptar, i lindun e rritun në Shqipni, që u caktue nga Porta e Naltë, si kërkesë e Francës, guvernator i nji kombi te tanë, të huej në 450 vjet të pushtimit osman.
Nji dramë politike e poetike në nji periudhe parazgjedhjesh për vjetin 2021, atyne të shkurtit në Kosovë e të Prillit në Shqipni, zgjedhje këto kaq vendimtare për fatin e kombit, në udhëkryqin drejt Europes e shtetit ligjor apo drejt korrupsionit e shkatërrimit institucional kombtar.