Drenusha Zajmi Hoxha: Puno si ora, por mos lejo të të kurdisin

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja dhe publicistja Drenusha Zajmi Hoxha.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nëse do të mund t’i pranonim çastet e hidhura si të natyrshme, bashkë me ato të lumturat, mendoj se do ta gjenim një lloj lumturie jetësore. Nuk jam ithtare e “mendimit pozitiv”, për sa kohë që ai nuk reflekton gjendjen e brendshme. Por, nëse do ta pranonim secilën gjendje dhe ndjenjë si njerëzore, kjo po që do të dukej lumturi e përkryer. Sidoqoftë, lumturia mbetet për ta kërkuar, jo për ta gjetur.

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika nga të qenurit e frikësuar tërë kohën. Frika për të dashurit e mi, veten, jetën, vdekjen. Frika nga vet frika.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Nga ata që i njoh, babain tim. I qaset jetës me pozitivitet, është aktiv dhe vital, e ruan lirinë  dhe rutinën e tij . Ndërsa nga ata që nuk i njoh, Angela Merkelin. Mençuria, fuqia dhe aftësia e saj, e kombinuar me kaq thjeshtësi, e bën atë kaq madhështore.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Me secilin apo secilën që nuk i është nënshtruar rregullave të askujt dhe ka jetuar sipas parimeve të veta, pa çarë kokën për paragjykimet.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Jam përtace për aktivitete fizike, kokëfortë, dhe, nuk di t’i pranoj komplimentet. Nuk ndihem mirë me to, nuk di si të sillem.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Hipokrizia, falsiteti dhe servilizmi.

Në cilat gjëra e teproni?

Me kripë dhe pagjumësi. Me vetanalizime, shtjellime, mendime, krijime, lodhje të përhershme mendore.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

 Çdo situatë nga e cila më duhet ta shpëtoj veten ose tjetrin.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Rrugëtimi drejt gjetjes së vetvetes.  Sapo më duket se jam afër cakut, karakteri im kërkon përsëri rrugë të reja.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Ma merr mendja që…”, dhe  ” Dreqi e marrtë!” 

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Që iu kam dhuruar vëmendje dhe kohë njerëzve që nuk e meritojnë. Që kam pasur durim dhe dashamirësi për njerëzit mosmirënjohës.  Edhe diçka më e keqe. Kur isha rreth njëmbëdhjetë vjeçe, bashkë me shoqen time ia dhamë nga një shuplakë një djaloshi, që padashje na i shkeli lojërat tona të vizatuara me shkumës mbi asfalt. Ishte mbase nja dy vite më i vogël dhe ende ndihem keq për këtë gjë. Çka është me e keqja, e njoh edhe tani.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Pos bashkëshortit Gencit e fëmijëve Siborës dhe Rubenit , qeni im trembëdhjetëvjeçar Xhimi. Një dashuri e madhe, pa kushte dhe e pafund.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Si Universi. Vazhdimisht gjendje kaosi dhe rregulli njëkohësisht. Brenda meje banojnë fëmija hiperaktiv me mungesë durimi dhe plaka e urtë me zgjidhje për çdo gjë tjetër. Tentoj ta zgjëroj hapësirën time mendore, ku mund ta shtrij lirinë time, duke qëndruar aty sa më gjatë që mundem, e pa cënuar nga askush.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Nga jashtë – kilogramët e tepërt, nga brenda – autokritikën e tepërt dhe ndonjëherë mungesën e vetëbesimit.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Të qenurit parimore, e guximshme, njerëzore dhe e palëkundur si karakter.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Nuk do t’i lejoja disa mendjengushtë në fotele të gjëra të m’i pamundësojnë disa ëndrra dhe dëshira të mëdha që i kam pasur. Do t’i birësoja katër fëmijë dhe do të ushqehesha më shëndetshëm.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

 Çkado që jeton nën ujë ose fluturon në ajër.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Liria ime. Të tjerat si familja nuk i posedoj, anise i kam më të shtrenjtit.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Një jetë pa dashuri, dinjitet, vlerë e respekt. Një pleqëri e vetmuar dhe një jetë e çuar kot. Më ngushëllon mendimi se artistët nuk vdesin.

Ku do të dëshironit të jetonit?

 Jashtë Agorafobisë sime ngulfatëse.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

Stabilitetin, inteligjencën,mbështetjen, humorin, përkushtimin, fjalën, guximin, thjeshtësinë, maturinë, korrektësinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

Pak a shumë gjërat e njëjta .Po ia shtoj edhe sharmin dhe mirësjelljen.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Cilido apo cilado që më bën të pyetem rreth vetes, botës, planetit, Universit. Secili/a që më bën t’i shoh gjërat ndryshe, t’i përjetoj ndryshe , të bëhem një me të.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata që i zgjasin dorën një njeriu në nevojë, një fëmije të braktisur, një kafshe  të uritur, një plaku që kalon rrugën. Secili që rrezikon veten për mirëqenien e tjetrit ose të ndonjë kafshe në rrezik. Heronjtë e vërtetë janë shpesh ata që nuk shihen.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Fjalimet para publikut.

Si do të dëshironit të vdisnit?

E rrethuar me dashuri dhe pa shkaktuar dhimbje të madhe tek ata që i lë pas.

Cila është motoja juaj?

Puno si ora, por mos lejo të të kurdisin./ ObserverKult