Pres të vijë një nuse me taka të larta, Me fustan të gjatë deri në tokë, Me dy–tri unaza të arta, Me kurorë të argjendtë në kokë;
Pres të vijë pa krushq e pa krushka, Pa dasmorë e pa dhëndër, Pa kalorës në kuaj, pa mushka; Pres të vijë e bardhë si ëndërr;
Pres të vijë e të thotë duke hyrë në derë, Duke ngritur pakëz fustanin e gjatë: “Erdha, dasmën e lashë me dhëndrin e mjerë, Me nënë e shkretë e tim atë;
Erdha ta përcjellim bashkë mbrëmjen e trishtë Pranë tryezës me vjersha e jo në shtratin e natës së parë… Të pëlqejnë unazat e gishtrinjve të brishtë, Të pëlqejnë takat e larta e fustani i bardhë?”
Pres të vijë një nuse me kurorë në kokë, Të vijë mes rrugëve të mëndjes sime të lodhur, T’i bjerë bishti i fustanit në tokë, T’i hedhë unazat mbi librin tim të zhubrosur…