Kush ishte Abdyl Banushi?
Më 29 nëntor 1974, në ceremoninë e festimit të 30-vjetorit të çlirimit, nga dyshimi për atentat, Enver Hoxha theu ritualin.
Ai nuk u ngjit i pari në tribunë për të folur përpara popullit. Në tribunën që për herë të parë i kishin ndërruar vendin, duke e hequr nga vendi i zakonshëm para hotel “Dajtit”. Vetëm pas duartrokitjeve që lajmëronin fundin e fjalimit, Enver Hoxha ishte shfaqur aty. Kuptohet bashkë me gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
Pakkush e dinte arsyen e vërtetë të vonesës së Enver Hoxhës për të marrë fjalën. As për masat ekstreme të sigurisë apo edhe për ndryshimin e papritur të vendosjes së tribunës.
Ato ditë të gjitha strukturat e Sigurisë të Shtetit komunist shqiptar, që nga Sigurimi i Shtetit, ishin me frikë për shkak të një informacioni.
“Dikush, që në atë kohë quhej “diversant”, i nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte mision t’i bënte atentat Enver Hoxhës”.
Diversanti ishte Abdyl Banushi, i arratisur, ish-mbështetës i Ballit Kombëtar.
Ai përshkruhej si tip kokëshkretë, sidomos pas informacioneve se kishte dorë në vënien e bombave në ambasadat shqiptare në Romë e Paris.
Për këtë qëllim, veç forcave të tjera të sigurisë, ishin angazhuar pothuaj të gjithë ata që e njihnin Banushin nga pamja.
Kryesisht ishin mobilizuar bashkëfshatarë e të njohur të tij, filluar nga oficeri i lartë i ushtrisë.
Faktet e dokumentuara thonë se Abdyl Banushi ishte vërtet në ceremoninë e asaj dite.
Ishte në afërsi të urës së bulevardit mbi Lanë, rreth 200 metra në vijë ajrore nga figura e Enver Hoxhës në podiumin e nderit. Ishte i armatosur. Në xhepa kishte bomba luftarake, i gatshëm për atentat.
Por për shkak të largësisë apo rrethanave të tjera të krijuara, Banushi nuk gjykoi se mund të arrinte të realizonte objektivin. Hoqi dorë.
Me veprimin e tij, do të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së një kombi të tërë…
Një histori që merr vlera edhe më reale po të krahasohet me atë të Xhevdet Mustafës, që i armatosur, në vitin 1982 ishte nisur për të realizuar atentat me të njëjtin qëllim, vrasjen e Enver Hoxhës.
Ai nuk arriti t’i afrohej diktatorit komunist as 100 kilometra. Vdiq në afërsi të vendit ku zbarkoi, në një shtëpi fshati në afërsi të Rrogozhinës.
Abdyl Banushi, gjirokastriti që “terrorizoi” Sigurimin e Shtetit
Më 7 prill 1975, në afërsi të postës kufitare të Hanit të Hotit, oficerët dhe ushtarët shqiptarë kishin marrë në dorëzim, Abdyl Banushin.
Sigurimi i Shtetit kishte mposhtur Abdyl Banushin, duke shfrytëzuar një të infiltruar në radhët e Frontit të Rezistencës Antikomuniste në SHBA, ku Abdyli përmbushte funksionet e sekretarit.
Vetëm për Abdyl Banushin kishte të dhëna se sillej me bomba e dinamit nëpër Shqipëri, me qëllim që të hidhte në erë bustin e Stalinit dhe ambasadën e Kinës në Tiranë, ashtu siç nuk kishte dështuar të hidhte eksploziv në ambasadat e Republikës Popullore të Shqipërisë në Romë dhe në Paris.
Abdyl Banushi arriti brenda një viti, të thyente katër herë kufirin shqiptar dhe të rivendoste lidhje me bazat antikomuniste në gjithë Shqipërinë.
Pas prangosjes, u fut për së gjalli në një arkivol metalik, me skafandër në kokë, që të mos tentonte vetëvrasjen.
Abdyl Banushi do të kishte shumë vizitorë “nderi” në qelinë e tij. Vizitorë që nisnin më zv/ministrin e Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu. Të gjithë kuriozë të shihnin të lidhur armikun e regjimit komunist.
Edhe pse në pamundësi të lëvizjeve fizike, Banushi përgjigjet:
“Pranova të bëhesha anëtar i Frontit të Rezistencës Antistaliniste shqiptare, sepse isha kundërshtar politik i regjimit, që sot është në fuqi në RPSH. Deri tani që jam arrestuar, jam përpjekur që detyrat e mia si anëtar i kësaj organizate, t’i kryej pa hezitim.”
Abdyl Banushi, për shkak të të cilit në Shqipërinë komuniste, u kultivua nocioni “diversant”, mbijetoi edhe 15 viteve të tjera të burgut.
Ai fitoi lirinë më 17 mars 1991, në ditët e ndryshimit real të sistemit./konica.al
———————–
Lexo edhe:
ENVER HOXHA, SI JA MERRTE KËNGËS “PËR TY ATDHE” PASI ELEMINONTE SHOKËT E AFËRT (VIDEO)
ObserverKult