E vërteta letrare mbijeton shekujt!

memorie dhe traume blerina


Për librin e kujtesës kosovare të Blerina Rogova Gaxha: “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftes 1998-99 në letersinë shqipe në Kosovë”


Si prolog
Nji observim për nji libër të kujtesës së trefishtë: si mimesis, (imitim i realiteit historik në arte e letërsi), mnemos (elemente që përbajnë kujtesën – senzorë memorizues) dhe logos (parimi i arsyes hyjnore dhe rendit krijues), e në psikologjinë Jungiane, parimi i arsyes dhe gjykimit, i lidhur me animusin – motivimin.

halil matoshi blerina


Nga Halil Matoshi
1.
E vërteta faktike tejkalohet shumëfish nga e vërteta letrare. Këtë na e thotë qysh Homeri tek Iliada.
Memoria letrare plakë shekujt.
Në nuk kemi fakte nga ballistika se nga erdhi shigjeta që goditi Akilin dhe as vendin ku ajo e goditi por Homeri na flet për thembren – ma të lëndueshmen – dhe lotët e Priamit që i lutet Akil Kambëshpejtit me ia kthy kufomën e të birit, Hektorit!
Thembra e Akilit âsht fiksion letrar kurse lotët e Priamit ende ruhen të freskët në Kângën XXIV. Si me pa sot nji babë tue vajtue para kâmbëve të vrasësit të te birit!?
Edhe sot lutjet é Priamit na i dridhin gjujtë!
Priami iu lut me gjithë zemër Akilit: “Kujto babën tand, mocë me mue, o Akil i madh Hyjnori– tue kalue pragun e pleqnisë vdekjeprumëse, pa askând për me e mbrojtë…” (Iliada, kânga 24, strofa 585.)
Priami qan sepse djali i tij i preferuem âsht vra e gjymtue, dhe ai ende nuk mundet me é varros djalin e tij. Përdhosja e nji trupi dhe mbajtja e tij nga ritet e vorrimit e pengoi atë me lëviz në jetën e përtejme.
Akili donte me e dënue Hektorin edhe pasi kishte dekun. Akilit papritmas i kujtohet baba i tij dhe si âsht i destinuem mos me e pa mâ dhe shkrehet në vaj; ai vajton për veten e tij dhe sheh babën e tij tek Priami, më në fund i vjen keq për një njeri nga radhët anmike duke iu ngjallun Thymos-i. Krenaria (dinjiteti) e nxitun nga zemërimi dhe mëshira.
Poetët kosovarë dymijë vjet ma vonë ngjallin kujtesën e luftës, njashtu rikthehen tek Thymos-i grek.
2.
Lufta âsht smujë, (patologji shoqnore) dhe nuk ka terapi ma t’sofistikueme se poezia me e shnoshë shpirtin e lëndumë nga plagët.
Poezia dhe letrat e bukura përgjithësisht pos që rindërtojnë (rrjetojnë e riparojnë) kujtesën për atë që na ndodhi japin edhe përgjigje në pyetjen pse na ndodhi dhe tue i bâ anamnezë introspektive, të ndodhunës, nxjerrin perspektivë mos me na ndodhë mâ!?
3.
Libri studimor i Blerina Rogovës – Gaxha ‘Memorie dhe Traume: Kujtesa e luftes 1998-99 në letersinë shqipe në Kosovë” si dhe ekspozita me ‘Artefacte’ p’ej letre bashk me shfaqjen e nji cope kujtesë si video-essay, âsht projekti ma i madh i kujtesës letrare në Kosovë.
I vetmi i kësaj natyre.
Blerina interpreton estetikën e frikës dhe trishtimit nga zhbâmja, jo veç të identitetit, po edhe e kujtesës së etnisë shqiptare, që vjen si zâ klithme në letërsinë e re kosovare.
Për Hanna Krall “viktimat nuk kanë nevojë për ne – ne kemi nevojë për klithmat e tyne”.
Krall (1935) një shkrimtare polake me diplomë në gazetari nga Universiteti i Varshavës, e specializuar midis temave të tjera në historinë e Holokaustit në Poloninë e pushtueme.
Blerina Rogova-Gaxha niset nga premisa e Renate Lachmann-it (teoriciente letrare) se shkrimi âsht njikohësisht “nji akt kujtese dhe nji interpretim i ri, me anë të te cilit nji çdo tekst i ri gdhendet në hapësinën e kujtesës.”
4.
Simas studjuesit Agron Y. Gashi “âsht arti që ‘rindërton”, riprodhon kujtesën, e kjo e fundit bân që mos me u harrue (…) tue na e shpërfaqë herë si mimesis é herë si mnemosys (letrat si mnémo) si kundërvumje harresës e për mos me dekë nga e vërteta – logosi.
Ky studim dëshmon sy bote – në nivel arti – për krimin e fundshekullit 20 që Serbia fashiste e kreu në Kosovë.
Po, Nietzsche tha: “Ne kemi artin mos me dekë nga e vërteta”. Kjo maksimë gjendet në librin e tij “Vullneti për pushtet”, (seksionin 879) i cili u botue mas deket tina.
5.
Poezia munet me afrue rehati dhe me rritë disponimin gjatë periudhave të stresit, traumës dhe pikëllimit.
Kombinimi i fuqishëm i fjalëve, metaforës dhe metrit na ndihmon me u shpreh ma mirë dhe me e kuptué botën dhe vendin tonë në të.
Poezia e luftës nuk âsht domosdoshmënisht
‘anti-luftë’.
E tillë në observimet e Blerinës del të jetë poezia e Bajrajt dhe Matoshit, (ku të pagojët flasin, pra dëshmojnë) që i shquen nji frymë e realizimit magjik dhe dilemës morale, derisa protesta antiluftë shpërthen me ironinë e hollë në poezinë e Arben Idrizit.
Megjithatë, bëhet fjalë për çashtje shumë të mëdha të jetës: identitetin, pafajësinë, fajin, besnikninë, guximin, dhembshuninë, humanizmin, shërbimin, dëshirën, vdekjen.
Sërish vdekjën. Në poezinë e re kosovare, deka nuk ndodhë sepse subjektet lirike ngritën e bien, fluturojnë, gurëzohen, shuhen ose shndërrohen në lule.
Si plagët e luftës në studimin e Blerinës.
6.
Si epilog
Libri âsht i shkruem në formë eseu dhe i qasshem për të gjithë lexuesit e jo vetëm për nivele akademike.
Blerina në trembëdhjetë kapituj ka përmbledhë krijitarinë letrare të 40 autorëve kosovarë (poezi e prozë) tue bâ simbiozën e viktimës, dëshmisë dhe autores (edhe vet përjetuese e luftës) në nji shkrim estetik integral, që në thelb âsht memorie universale – si nji Shoah hebraik – që i flet të sotmes për mos me u përseritë nesër!
Pa dëshminë letrare bota kish me qenë shurdhmemece.
Pa këtë dëshmi nuk kishim me e njoftë lutjen e Priamit me buzë në vaj dhe as Thymos-in grek – shkrehjën në vaj të Akilit!?
Falemnerës Blerinë!

15 kallnor, 2024

ObserverKult

—–

blerina

Lexo edhe:

BLERINA ROGOVA GAXHA, PJESË E ANTOLOGJISË SË POETEVE SHQIPTARE “MAGMA”

Blerina Rogova Gaxha është pjesë e Antologjisë së poeteve shqiptare “Magma”, përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.

Blerina Rogova Gaxha u lind më 1982. Ka botuar librat me poezi: “Gorgonë“ (2009), “Kate“ (2013), “Ajo vjen nga Lindja“ (2016), “Thasë“ (2020) dhe monografinë “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”.

Laureate e çmimit ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award 2015” në Slloveni, dhe e tri çmimeve kombëtare për librin më të mirë të vitit Gorgonë 2010, Thasë 2020, dhe Vdekja në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli)”, 2022, ndarë nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

Do të gjeni aty poezi nga:

Alma Braja, Ardiana Shala Prishtina, Ardita Jatru, Arjola Zadrima, Blerina Rogova Gaxha, Dije Demiri Frangu, Drita Ademi, Donika Dabishevci, Edi Shukriu, Emine Maliqi, Enkeleda Ristani, Entela Kasi, Erenestina Gjergji Halili, Fakete Rexha, Flutur Mustafa,

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult