Në atdhe fluturojnë aeroplanë dhe kujtime
e sjellin kumtin, fjalën, plagën
pa poetin …
sa peshon fjala shqipe,
në lëkurë të moteve,
në gegnishte të murgut …
kujtimet e trishta të murgut
sa peshojnë burrë Malësie
midis Bavarie …
e po kur del pranvera sivjet ,
pranvera e këtij moti ,
atje mori Malësore , atje mori Shkodër
në brinjë të tokës së plagueme
kemi me e lëshuar grurin ,
po si mbillet fara e gjuhës shqipe mjeshtër
në tokë të papunueme…
ne do të vijmë një ditë
me mëkatet tona
kur të gjuaj reja për së kthjellti,
po do të vijmë një ditë
të pijmë birra Bavarie,
shenjave të Europës,
do ta kërkojmë trupin e poetit
në një natë me shi
ku këndon qyqja në Dukagjin
a në varreza të Mynhenit …
në atdhe nuk ka vend për poet
të vramë reje, të shituem diktature
po sa kushton atdheu
e si mbillet fara e gjuhës shqipe
pash të lumin Zot mjeshtër,
sa kushton atdheu …
*shkëputur nga libri “Sagë për shtëpinë”, Littera, Prishtinë, 2023
ObserverKult
Kliko edhe:
(Video) Eduard Frrokaj lexon poezitë e tij/ Festivali Poetik i Prishtinës 2