Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me punimet e saj artistike, piktoren Bardha Alimeta.
Bardha Alimeta lindi më 5 prill 1970. Ajo fitoi të drejtën e studimit për në shkollën e mesme artistike “Onufri” dega: Pikturë në Elbasan në vitin 1984.
Përfundoi studimet e larta Histori -Gjeografi dhe më tej master “Psikolog në institucion”.
Bardha tregon se pasioni i saj, dashuria e parë mbetet piktura, por është e lidhur ngusht edhe me poezinë.
“Shpesh gjindem si në faj”, rrëfen ajo.
“Kam kohë që nuk ulem të shkruaj pasi piktura më zë pjesën më të madhe të kohës. Ndoshta është një ndjenjë më e fortë se të shkruarit”.
Bardha shprehet se arti për të është oksigjeni i jetës.
Së fundmi ajo drejton Pallatin e Kulturës “Sadi Halili ” Librazhd dhe kjo e ka motivuar edhe më shumë artisten nga Librazhdi të zgjojë në atë qytet një frymë ndryshe ashtu si dhe vetë Bardha është “Një grua ndryshe”.
Ekspozita e parë e saj është hapur në vitin 2009 në kohën kur Bardha drejtonte Qendrën e Fëmijëve me Aftesi Ndryshe.
Në bashkëpunim me institucionin dhe fëmijët e talentuar hapet Ekspozita e parë në vaj “Ngjyra Jete” në shenjë solidariteti për fëmijët me Aftësi Ndryshe.
Ekspozita e radhës ishte në vitin 2010.
Në Librazhd më 2020 u hap ekspozita “Pranverë Pandemike”- me mesazhin e madh për jetën në kohën e COVID-19.
Pastaj ishte në Ekspozitën “Ngjyra Shpirti” në oborrin e Presidencës, nën kujdesin e vetë, atëherë, presidentit shqiptar Ilir Meta.
Aty Bardha Alimeta u promovua si aktiviste, humaniste, krijuese dhe si një grua ndryshe për mënyrën si ajo guxon e shfaqet në shoqërinë tonë ku ende gruaja pargjykohet.
Së fundmi ishte pjesëmarrëse në disa ekspozita kolektive Prishtinë, Pejë. Shkup, Filadelfia ku janë të ekspozuara 5 tabllo të piktores, Bardha Alimeta.
Bardha Alimeta është nje grua plot pasion e dashuri për jetën, njerëzit, letërsinë e artin dhe fal shumë dashuri.
Në vazhdim gjeni disa nga punimet artistike të Bardhës, ku shkrihet shpirti e shihet pasioni i saj artistik.
ObserverKult
Lexo edhe:
EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: ALKETA BERCAJ DELISHAJ, PIKTORE (FOTO)