Elezi: Më trishton lehtësia me të cilën njeriu i bën keq njeriut, deri në shkatërrim!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet publicisti, shkrimtari, gjuhëtari e diplomati Mehmet Elezi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
– Realizimi i vetvetes. Gjithsesi e përkryera, në ekzistoftë, është vetëm në qiell.

Cila është frika juaj më e madhe?
– Kjo botë madhështore, po aq e fshehtë dhe e brishtë! Edhe një virus mund ta gjunjëzojë. Po një njeri i vetëm, cilido qoftë, sa i mbrojtur është?

Cilin njeri të gjallë e admironi më së shumti?
– Idealistin që nuk tërhiqet “edhe i vetëm trim në luftë”. Talentin që krijon edhe kur e liçitin (bojkotojnë) për arsye jashtartistike.  

Cili është personaliteti historik, me të cilin do të dëshironit me u identifikue?
– Më mahnit Abraham Linkolni.

Cili është tipari juaj, që nuk e pëlqeni?
– Jam tepër i ndjeshëm. I ndjeshmi vuan më fort.

Cili është tipari, që nuk ju pëlqen te të tjerët?
– Më trishton lehtësia me të cilën njeriu i bën keq njeriut, deri në shkatërrim.

Në cilat gjëra e teproni?
– Kur jam mes njerëzish që ndihem mirë, mahitem, ngacmoj.  Dasha më prek te gjuri, mjaft. Kur shkoj në treg, blej pemë (fruta) sa për dhjetë frymë.

Çfarë do t’ju shtynte me gënjye?
– Nëse ashtu i shërbej njeriut më mirë se me të vërtetën, e mbaj gjallë si te tregimi Gjethja e fundit i ‘O Henrit. Gjyshi im thoshte një rrenë e bukur të mban 24 orë.

Cili është rrugëtimi juaj i parapëlqyer?
– Nëpër poret e  romaneve kam një personazh që fryn si erë nëpër vendlindjen time, fëminia. Sa më shumë shkojnë vitet, aq më shumë më fton.

Cilën fjalë apo fjali e përdorni më së shpeshti?
Mendoj. Ndoshta. Në përputhje me relativitetin e botës.

Për çfarë ju ka ardhur më keq apo jeni penduar që e keni bërë?
– Shkëputja mbi njëzet vjet nga krijimtaria letrare. Kam humbur vite shpërthyese, plot vlagë. S’ka qenë zgjedhja ime, e kam shpjegur te libri “Nuk isha student i Dhjetorit” (botim i dytë, i plotësuar), veçanërisht në kreun Vdekja dhe ngjallja e shkrimtarit.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
– Dasha dhe fëmijët. Familja.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
– I ftohtë, stërpikur me trishtim. I imunizuar nga çmenduritë që na rrethojnë.

Nëse do të kishit mundësi me ndryshue vetëm një gjë te vetja, cila do të ishte ajo?
– Prirja me marrë seriozisht gjëra e njerëz, që nuk ia vlen.

Çfarë quani të arriturën tuaj më të madhe?
– Rikthimin te vetvetja, te krijimtaria. «Ndiq zemrën tënde, për aq kohë sa je gjallë», thuhet në librin më të lashtë të botës, Mësimet e Ptahhotepit. Kam qenë student (1970) kur botova librin Zhurmojnë ujvarat (me rekomandimin e Kadaresë, se s’po çaja). U riktheva në fund të viteve nëntëdhjetë. Kam botuar Fjalorin e Gjuhës shqipe me 41 mijë fjalë që nuk gjinden në fjalorët e Akademisë, me shtjellime etimologjike, 12 romane, disa përmbledhje me tregime e me poezi, sprovat Gjuha shqipe në bunker, Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit, Dritëhije në Fjalorët e Akdemisë, Kosova midis politikës e realpolitikës… s’po i zë në gojë të gjitha. Më vjen keq kur përmendin më shumë Fjalorin. Të parat janë romanet.  Sot lexohet pak.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
– Do të blatoja më shumë dashuri e përkujdesje për prindët. S’kam asnjë peng, por gjithmonë ka diçka që mund ta bësh më mirë për prindin. Dhe për njerëzit më të dashur.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësi me u kthye qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit me qenë?
– Do të doja me qenë ky që jam. Por nuk besoj në ringjallje e rimishërime.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që zotëroni?
– Këmbët e mia të gjata, të lira, si të Njeriut që ec, te Xhakometi. Në jetën time nuk gjindet një hallkë, me të cilën dikush mund të m’i lidhë  këmbët. Me to mund të ec edhe pas vdekjes.

Çfarë quani mjerimin më të madh?
– Nëse të harrojnë të gjithë, edhe shpresa.

Ku do të dëshironit me jetue?
– Këtu ku jam, në Tiranë. Ani pse një mik, intelektual i njohur, kur po flisnim për mërgatën, shpërtheu: jemi bërë “refugjatë” në Atdheun tonë!

Çfarë vlerësoni te një mashkull?
– Përkushtimin ndaj vlerave të familjes.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
– Dhuntinë me e mbushë shtëpinë me shpirt, me aromë njerëzore.

Cili është shkrimtari juaj i parapëlqyer?
-Përgjigja për këtë pyetje s’ka fund. Nga bashkëkohorët lexoj gjithçka nga Markezi, Kadareja, Llosa, Alende, Amoz Os… Edhe rilexoj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
– Nana.

Cilin talent do të dëshironit me pasë?
– Do të dëshiroja që në Atdheun e dashur të vlerësohen talentet sipas vlerave, jo sipas ndihmesash të tjera.

Si do të dëshironit me vdekë?
– Pa varrë në zemër.

Cila është motoja juaj?
– Mos thuaj jo, s’bëhet, por fillo punën, dhe bëhet./ ObserverKult