asht vranët sot, shpirt
unë kam frikë.
atje po rritet numri i vdekjeve,
më gjasë do të ketë edhe nji stinë tjetër karantine,
atje e këtu.
nuk kam një ballkon ku kisha mujt
me marrë ajr e me pi nji kafe me nge
e me vjelë frikën si frutat e verës,
ndoshta edhe me të vajtu ty,
kam nji dritare. përshendetem me plakën
në katin e tretë,
ajo komenton motin gjithmonë, kaq kuptoj,
pastaj pështyn në faculeten e saj,
nganjiherë edhe poshtë dritares.
nganjiherë më shkon mendja me i çu nji luledielli,
ndoshta pse unë kam dëshirë dikush me ma dhuru
nji lule dielli, apo nji lul-kuqe, të dyjat ma kujtojnë
fëmijninë, ndoshta edhe nji lule podrimçare,
sepse kanë aromë të mirë, e ma kujtojnë
shoqen tem që edhe ajo ka emër luleje.
qe, shiu nisi me ra, me erë e me furtunë.
dikush po i mbyll dritaret. lajmet nuk po dëgjohen ma.
nuk ka gja të mirë edhe ashtu.
këtu e atje.
të djathtët po marrin pushtet, të majtët
dalldisen e mjaftohen me dijeninë e vet.
disa të tjerë kanë hallin e ndejave e dasmave.
të kam thanë, që vendet tona të bajnë me besu në zot,
por e pata lanë atë shpresë diku në telat me gjemba
në fabrikën e çimentos.
të tjerët në mes janë të hutum.
mue më duhet me shku në shpi,
në shpi e mos me ikë ma kurrë,
se veten hala nuk e kam shtëpi,
ti veç je rrënu moti, shpirt.