Elida Rusta: Dikujt i ndihet era e keqe e shpirtit prej larg…

Nga Elida Rusta

Nuk u lodha shumë atë të shtunë. Punova shpejt. Isha mirë aq sa fillova të fërshëllej si djalë haram nëpër shtëpi. Kështu jam sa herë mendoj ëmbël. Aty nga muzgu dola për të ecur si çdo natë. Arrita deri ku i kam vënë cakun vetes dhe u ktheva.

Pak metër larg bibliotekës “Marin Barleti”, tek kisha humbur në nostalgjinë e njërës qoshe të saj, pasi aty më dhuruan lule kur isha studente, pashë një djalë esmer që nuk po m’i ndante sytë. Ishte i veshur si mos më keq dhe dukej i stresuar. M’u bë se po më priste. Në sekonda u vrenjta si grua zakoni e djali po atë moment më foli në anglisht.

-Përshëndetje zonjë! A mund të më ndihmoni?
Hodha sytë rreth e rrotull pa asnjë shkak dhe si natyrë e brishtë që jam, bëra dy hapa drejt tij. Njëqind hamendje më shkuan për pak sekonda në kokë para se t’ja ktheja përshëndetjen.

– Po, më thuaj!
– Jemi tre shokë ardhur nga Siria, duam të ikim në Evropë por jemi pa ngrënë, pa larë, pa fjetur.
Hej Zot, – mendova! Ku më gjejnë mua!
Nuk më njeh e për rrjedhojë asnjë arsye s’ka për të më bërë keq. E shoh në dritë të syrit dhe i them:

-Tre? Edhe dy të tjerët ku janë?
Qesha lehtë me vete se m’u kujtua filmi “Dimri i fundit” ku oficeri gjerman pasi i kish numëruar gratë i pyet:- Edhe pesë të tjerat ku janë?

Djali esmer u thirri në emër dy djemve që ishin në krahun tjetër të trotuarit dhe diç u foli në gjuhë të vet. Si arabisht m’u duk. Ata u afruan. Njërit prej tyre sa ma dha dorën ia lexova në fytyrë një djallëzi për të cilën edhe po të më pyesni nuk di ta shpjegoj.

Nxënësit më thonë për gabimet që has shpesh në detyrat e tyre. Po si e pe kaq shpejt mësuese? Di që nuk më pëlqeu. Djali tjetër ishte i matur e i kujdesshëm dhe pothuaj u morëm vesh mirë me anglishten e tij të çalë.

-Ju ndihmoj unë u thashë, aq sa kam në dorë.Tani uleni zërin dhe ecni me mua. Mendova për një çast burgun. Po ndihmoja refugjatë.

Nuk isha shumë larg shtëpisë dhe sigurisht nuk kisha si ti çoj në shtëpi. I ula në barin tim të preferuar ku përditë pi kafen e mëngjesit para se të nisem për punë. Në çdo lëvizje a veprim që bëja m’i ngulnin sytë, shihnin me një ndjenjë habie lirshmërinë time dhe i kuptova. Në vendin e tyre gratë jetojnë mes burkave e telave me gjemba.

U fola pak për vendin tonë, rrugën e kalvarit, krenare si gjithmonë por me turp për fasadat. Shkova te banaku pa e pritur kamarierin dhe pyeta sa kushtonte hoteli sipër barit, porosita katër kapuçino, bëra pagesën dhe u ula në tavolinë.

Nxora nga çanta paketën “Marlboro” dhe ua drejtova pothuaj kot. Ata të tre morën nga një. U thashë se po largohesha për pak minuta, vetëm për pak dhe i sigurova të rrinin të qetë, vetëm se duhej të flisnin me zë të ulët. Dola me të shpejtë nga bari që nuk kishte restorant dhe ndala në marketin më të afërt të lagjes. Bleva ushqime, ujë, lëngje, bukë dhe tre paketa duhan të markës “Winston”.

Me qese në dorë u ktheva tek tavolina, pashë nëse kishin mbaruar aty dhe i ftova të vinin pas meje shkallëve të hotelit duke ua lënë qeset në dorë. I pyeta nëse kishin ndonjë llogari në rrjetet sociale. Pothuaj të tre njëzëri m’u përgjigjën: JO!

U ndjeva në faj për pyetjen siç po ndihesha për paketat e duhanit pse nuk ua mora “Marlboro”, por kisha shumë ditë përpara që të merrja rrogën. Nuk jam e pasur, por drita e fëmijërisë më ka mbushur me diell dhe më ka ruajtur shpirtin të virgjër. Ndoshta se kati i pestë ku jetoja ishte më afër Zotit. Po si do kishin llogari ndërkohë që kishin marrë udhët e botës? Mendimet m’i ndërpreu kërkesa e djalit që nuk më pëlqeu sapo e pashë.

Më pyeti nëse mund ta shihte telefonin tim.- Hmmm, telefoni është privat i thashë, duke vënë buzën në gaz e duke ia zgjatur. U ngjitëm lart pa dalë nga bari. Hoteli ishte në katin e dytë mbi lokal, u afrova tek recepsioni dhe pyeta djalin trupimët që ndodhej aty se a ishte i informuar për fjetjen e tyre?

E pohoi dhe u tha të shkonin me të për t’u treguar dhomën e fjetjes. U ndamë thua jemi njohur prej vitesh. Kamarieri me të cilin kam pak konfidencë më tha:- Pse nuk ju bleve dhe një makinë?

– Jepu kafe në mëngjes ti atë bëj,- ia ktheva.
U largova e lehtë si perëndi. Kështu më ndodh kur jap diçka nga vetja. Di nga gjyshja që kur jep me të majtën s’duhet të dijë e djathta, por proza bëhet e jotja vetëm kur vë veten në të.

Unë e di përmendësh këtë ligj të artit. Mbase dhe nuk e kisha shkruar sikur të mos shihja pak më parë një ftesë në facebook prej atij, djalit që nuk më pëlqeu prej fillimit. Dikujt i ndihet era e shpirtit prej larg…

ObserverKult


Lexo edhe:

ELIDA RUSTA: NANË AH, T’KISHE ME ÁRDH EDHE VEÇ NJI HERË!