
Nga Ismail Syla
Me nocionin elitë nënkuptohet ajo shtresë shoqërore që ka ndikim real mbi drejtimin e shoqërisë. Ajo mund të ndikojë përmes: pushtetit politik, dijes, kapitalit ekonomik, autoritetit moral, kontrollit mbi narrativen publike dhe si e tillë prodhon vendime, kuptime dhe orientim. Një individ konsiderohet elitar, nëse ndikimi i tij e tejkalon interesin personal. Ai mund të jetë i profileve të ndryshme. Elitat themelore janë ato politike, që drejtojnë shtetin, elita intelektuale, që prodhojnë ide dhe kuptim, elita ekonomike, që kontrollojnë kapitalin, elita kulturore që formësojnë narrativën dhe simbolin dhe elita morale, që bëhet referencë etike në kohëra krize. Në një shoqëri të shëndetshme ka balancë mes këtyre elitave. Në esenë e mëposhtme elita shqiptare e Kosovës interpretohet brenda konceptit të ekzistencës minimale, prej vitit 1945 deri në vitin fillim të shekullit njëzetenjë.
“ELITA” SHQIPTARE NË KOSOVË (1945–1966) – MIDIS MBIJETESËS DHE HESHTJES
Shqiptarët e Kosovës në fillim të shekullit njëzet patën fatin historik të ekzistencës nën pushtetin e egër shtypës dhe kolonizues nën Mbretërinë Serbe, kroate dhe sllovene. Pa asnjë të drejtë nacionale, kjo periudhë qe shumë rrezikuese për substancën kombëtare nga implementimi i programeve për dëbim sistematik dhe dhunë të përditshme. Koncepti elitë nuk gjen shembuj adekuatë në këtë periudhë, kur mungonte çdo e drejtë politike, shkollimi në gjuhë kombëtare, përfshirja në institucione etj. Madje, historianët seriozë me të drejtë konstatojnë se po të mos shpërthente Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës qenë të rrezikuar në shkallë të asgjësimit nga politika e Beogradit. Gjatë periudhës së pushtimit fashist të Kosovës, në Kosovë për herë të parë u hapën shkollat shqipe në një kohë të ndjeshme. Kohë e shkurtër për të krijuar një elitë të caktuar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova nuk hyri në një epokë rindërtimi normal.. Regjimi i ri jugosllav, komunist, vendosi kontroll të drejtpërdrejtë administrativ dhe sigurie. Në këtë terren, “elita” shqiptare nuk u zhvillua lirshëm, por u seleksionua. Menjëherë pas luftës, shumë figura lokale me autoritet – nacionalistë, klerikë, prijës tradicionalë, u eliminuan politikisht ose fizikisht. Ata u burgosën, u gjykuan dhe u margjinalizuan. Dhe çdo boshllëk në histori mbushet nga pushteti. Nga pushteti jugosllav Kosova u pa me dyshim të dyfishtë: si rajon i ndjeshëm etnik dhe si hapësirë e mundshme e ndikimit shqiptar.
“Elita” që u lejua të ekzistojë kishte në këtë kohë duhej të dëshmonte besnikëri ideologjike ndaj sistemit, distancim nga nacionalizmi i hapur, rol administrativ jo politik strategjik. Në vitet ’50 dhe fillim të ’60-ave, arsimi në gjuhën shqipe funksiononte disi, duke krijuar brezin e parë të mësuesve, juristëve, administratorëve shqiptarë brenda sistemit. Por kjo “elitë” nuk kishte hapësirë për artikulim kombëtar, nuk kishte universitet të plotë, nuk kishte infrastrukturë akademike të pavarur. Ajo ishte elitë e administrimit lokal, jo elitë e projektit kombëtar.
Kjo periudhë karakterizohet nga survejimi intensiv (nga UDB-ja), kontrollimi i diskursit publik, diferencimet ideologjike, burgosje për “irredentizëm”. Shumë intelektualë shqiptarë jetonin në një gjendje të dyfishtë: formalisht pjesë e sistemit, të vetëdijshëm për kufirin e lejuar. Kjo krijoi një kulturë politike të kujdesshme, të heshtur. Pra elita shqiptare në Kosovë, pa thonjëza, nga 1945 deri më 1966 ishte e pastruar nga elementet tradicionale, e filtruar ideologjikisht, e kufizuar në funksione lokale, e trajnuar për administrim, jo për artikulim kombëtar. Në histori, ndonjëherë brezi më i rëndësishëm nuk është ai që flet. Mjafton që ai nuk shuhet.
ELITA KOMUNISTE E KOSOVËS – NDËRMJET FRYMËS SË SISTEMIT JUGOSLLAV/SERB DHE KOSOVËS
Plenumi i Brioneve (1966) dhe rënia e Aleksandar Rankoviqit shënoi një lehtësim të presionit mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo ishte çarja e parë reale e kontrollit të ashpër. Pas 1966-s fillon hapja e rrugës për universitetin, zgjerimi i administratës shqiptare, ngritja graduale e elitës që do të kulmojë me autonominë e 1974-s.
Elita komuniste e Kosovës nuk ishte thjesht “bashkëpunëtore” dhe as thjesht “mbrojtëse”. Ajo ishte një kastë ndërmjetëse: e lindur nga sistemi jugosllav, e edukuar për t’i shërbyer atij, por e detyruar çdo ditë të menaxhonte një realitet që sistemi nuk e pranonte plotësisht, shumicën shqiptare si shumicë politike.
Kjo elitë jetonte në një kontradiktë strukturore. Nga lart: kishte legjitimitet administrativ, disiplinë ideologjike, besnikëri ndaj “vëllazërim-bashkimit”, ndaj federatës, dhe në momente kyçe ndaj hegjemonisë serbe. Nga poshtë kishte kërkesa të pashprehura të popullit, jo për fjalë, por për hapësirë: arsim, gjuhë publike, punësim, dinjitet, dhe mbi të gjitha mos zhdukje. Këtu shfaqet “fryma e sistemit”: sistemi jugosllav, sidomos në nyjat e tij serbe, nuk e konceptonte Kosovën si subjekt politik shqiptar, por si problem menaxhimi.
Elita komuniste shqiptare e Kosovës u bë “menaxherja” e këtij problemi: ajo duhej t’i siguronte sistemit qetësi dhe lojalitet, ndërsa popullit i jepte dozën minimale të vazhdimësisë: shkollë, gjuhë, administrim. Në periudhat kur sistemi lejonte frymëmarrje, elita e Kosovës dukej “kombëtare”; kur sistemi shtrëngonte, ajo kthehej në mekanizëm disipline. Kjo është arsyeja pse ajo u duk gjithmonë e dyshimtë, sepse funksioni i saj nuk ishte të udhëhiqte popullatën shqiptare drejt lirisë, por ta mbante brenda kornizës së shtetit jugosllav.
Kjo elitë kishte një lloj patriotizmi të heshtur, por të kushtëzuar: patriotizmi i “mundësive” dhe “kompetencave”, jo ai për përballje. Ajo i besonte një ideje: se me integrim institucional, me “korniza federale”, me kompromis, mund të fitohej hapësirë. Por kjo ide kishte një kufi: sapo Kosova kërkonte diçka më shumë se administrim – pra subjektivitet politik – sistemi e quante devijim. Kthesa e vitit 1981 e nxori këtë elitë në shesh: një elitë që kishte menaxhuar vazhdimësinë minimale (arsim, gjuhë, institucione) u përball me një popullsi që kërkonte kuptim politik.
Në këtë pikë elita komuniste u ndodh përballë dy rrugëve, ose të rreshtohej me kërkesën, ose të ruante besnikërinë dhe mbijetesën duke qenë e integruar brenda sistemit. Dhe si rregull, elita komuniste zgjodhi sistemin, jo gjithmonë nga bindja, shpesh nga instinkti i mbijetesës së vet, sepse elita komuniste jeton nga rendi: kur rendi lëkundet, ajo nuk ka tjetër gjuhë veç disiplinës.
Përkundër elitës komuniste luajale ndaj Jugosllavisë, pjesa dërmuese elitës intelektuale, qoftë edhe e heshtur, ruan kapitalin intelektual pa përplasje frontale. Regjimi ishte i pakënaqur me këtë pjesë të elitës intelektuale, sepse nuk po diferencohej sa duhet ndaj “nacionalistëve”, “separatistëve” dhe “irredentistëve” shqiptarë. Në këtë periudhë ishte shpërfaqur dhe strukturuar elita disidente e përfaqësuar nga figura e Adem Demaçit, që e ktheu presionin në qëndresë morale.
Elita komuniste e Kosovës, në fund, u bë viktimë e logjikës që pranoi: kur erdhi viti 1989 dhe autonomia u shkatërrua, ajo kuptoi se kishte menaxhuar një hapësirë që nuk e zotëronte. Autonomia e 1974-s prodhoi kuadro universitare, juristë dhe ekonomistë, aparat kulturor, media në shqip, burokraci lokale Por ajo nuk prodhoi diplomaci ndërkombëtare, strategji sovraniteti, ekonomi të pavarur, ushtri, mekanizma shtetndërtimi të plotë. Pra, elita komunistev ishte e trajnuar të menaxhonte hapësirë të deleguar, jo sovranitet të plotë. Ajo kishte ndërtuar institucione pa sovranitet, normalitet pa garanci. Kështu, ajo kishte prodhuar vazhdimësi minimale institucionale, por jo mbrojtje politike. Në këtë kuptim, elita komuniste e Kosovës është tragjike, jo heroike. Ajo ndërtoi “pak jetë” brenda sistemit, por e pagoi me mosbesimin e popullit dhe me përbuzjen e hegjemonisë serbe, që s’e pranoi kurrë si të barabartë.
ELITA E TË BURGOSURVE POLITIKË – RAPORTI ME SHTETIN JUGOSLLAV, POPULLIN E KOSOVËS DHE STRUKTURËN KOMUNISTE SHQIPTARE
Në anën tjetër qëndron elita e burgut: jo elitë e zyrës, por elitë e vetëdijes për dhunën. Ajo nuk lindi nga sistemi, por nga përplasja me të. Nëse elita komuniste e Kosovës përfaqësonte “normalitetin e administruar”, elita e të burgosurve përfaqësonte “normalitetin e pamundur” – refuzimin për ta pranuar Kosovën si problem administrativ.
Këtu raporti me shtetin jugosllav ishte i thjeshtë dhe i ashpër: shteti nuk ishte partner, ishte aparati që të reduktonte. Prandaj elita e burgut nuk kërkonte “përmirësim”, por ndryshim statusi. Ajo nuk negocionte dozën e lirisë, sepse këtë dozë e konsideronte mashtrim. Këta njerëz të kësaj elite kuptuan një gjë thelbësore: sistemi është i aftë të japë shkolla, universitete, poste, por pa e lejuar subjektivitetin politik. Dhe për ta, kjo ishte pikërisht forma më e rrezikshme e robërisë: robëri me frymëmarrje, ngase të jep iluzion se po jeton normalisht ndërkohë që kjo formë robërie po ta formëson kufirin. Simbol i kësaj elite u bë figura e rezistencës ideore, Adem Demaçi, sinonim i qëndrimit moral të gjatë, i durimit që nuk pranon të quhet kompromis, frymëzues i brezave të të burgosurve politikë të të gjitha periudhave (1960, 1968, 1981).
Elita e burgut e ndërtoi legjitimitetin e saj jo me poste, por me kosto personale. Kjo e bëri të fuqishme te populli, i cili, në fund, u beson më shumë atyre që paguajnë sesa atyre që flasin. Por elita e burgut kishte edhe një problem: rrezikun e shndërrimit në “elitë të pastërtisë”. Kur sakrifica bëhet standard, ajo mund të kthehet në gjykim absolut ndaj çdo forme tjetër rezistence, përfshirë durimin institucional të atyre që mbanin gjallë shkollat, punët, familjet. Pra mund të bëhet elitë që e përçmon vazhdimësinë minimale, sepse ajo nuk duket e pastër.
Për këtë elitë raporti me popullin e Kosovës ishte i dyfishtë. Populli e admironte burgun, sepse burgu ishte dëshmi e padrejtësisë dhe e guximit. Por populli gjithashtu kishte nevojë për jetë të përditshme, për pragmatizëm, për “të nesërmen”. Dhe këtu elita e burgut shpesh fliste dhe artikulonte një regjim të lartë moral, ndërsa populli jetonte në regjim të ulët ekzistence.
Raporti me strukturën komuniste shqiptare të Kosovës ishte edhe më i ndezur. Elita e burgut e shihte atë si aparat që zbaton dhe qetëson, si mekanizëm që negocion kufijtë e robërisë. Ndërsa aparati e shihte elitën e burgut si rrezik, ngaqë burgjet prodhojnë atë që aparati nuk mund ta prodhojë, – legjitimitet moral pa autorizim. Kjo është arsyeja pse përplasja midis dy elitave është përplasja midis dy logjikëve: logjika e funksionit (mbaje shoqërinë në këmbë, brenda kornizës), dhe logjika e parimit – mos e prano kornizën si fat. Në vitet ’90 kjo përplasje u riformatua: durimi institucional (Rugova dhe shteti paralel) u bë një lloj kompromisi i madh shoqëror, ndërsa tradita e burgut vazhdoi të ushqente nervin e mospranimit. Pastaj, kur erdhi 1998–1999, korniza u thye dhe u prodhua forma e tretë: lufta, ku shumë nga këto elite u rreshtuan, u bashkuan, ose u përplasën përsëri nën kushte të reja.
Përfundim sintetizues: dy elita, dy regjime legjitimiteti
Elita komuniste e Kosovës përfaqëson legjitimitet nga sistemi, funksion administrimi, prodhon vazhdimësi minimale institucionale, por paguan me dyshim dhe varësi. Elita e të burgosurve politikë: legjitimitet nga sakrifica, funksion ndërgjegjësimi, prodhon vazhdimësi minimale morale, por rrezikon ta absolutizojë pastërtinë dhe të përplaset me pragmatizmin e jetës. Bazuar në tezën e vazhdimësisë minimale të jetës elita komuniste e Kosovës ruajti “jetën” brenda kornizës, elita e burgut kërkoi ta ndryshojë kornizën. Njëra mbrojti vazhdimësinë minimale si funksion; tjetra e sfidoi atë si kufi. Në këtë pozicion të dyfishtë të pamëshirshëm populli kishte nevojë për të dyja: -për jetën që vazhdon dhe për idenë që nuk e lejon jetën të bëhet pajtim me robërinë.
ELITA E ALTERNATIVËS SHQIPTARE (1989–1999), LDK SI STRUMBULLAR DHE PËRBËRJA E SAJ
Viti 1989 me ngritjen e Sllobodan Millosheviqit shënon një çast kritik: ajo që elita komuniste e Kosovës kishte menaxhuar për dekada (arsim, gjuhë, autonomi funksionale) shkatërrohet nga brenda. Autonomia hiqet, normaliteti institucional shpërbëhet. Elita politike dhe kulturore përballet me shtetin që e kishte lejuar të formohej. Në fazën e parë, ajo ishte krijuar strukturë. Në fazën e dytë, ajo mbron strukturën. Kjo është tragjedia dhe forca e saj: ajo u formua në autonomi, por u pjek në represion. Në këtë pikë, shoqëria shqiptare përballet me një zgjedhje brutale: ose të hyjë në përballje të drejtpërdrejtë (me rrezik zhdukjeje), ose të shpikë një formë alternative të vazhdimësisë minimale. Elita e alternativës shqiptare lind pikërisht këtu: jo si projekt ideologjik, por si reaksion ekzistencial ndaj boshatisjes së hapësirës publike. Elita kalon nga artikulimi në mbijetesë.(1989–1990), nga elitë akademike në bërthamë të rezistencës politike. Nga auditorët doli paralelizmi. Nga librat doli durimi. Nga represioni doli strategjia.
Nëse elita komuniste e Kosovës përfaqësonte administrimin e jetës brenda sistemit, dhe elita e të burgosurve politikë përfaqësonte refuzimin moral të sistemit, atëherë elita e alternativës shqiptare përfaqëson zhvendosjen e jetës jashtë sistemit, pa e sfiduar atë drejtpërdrejt me dhunë. Kjo elitë nuk synoi ta rrëzonte shtetin jugosllav dhe as ta reformonte atë. Ajo bëri diçka më të heshtur, por historikisht vendimtare: e braktisi atë si kornizë të imponuar qenësisë shqiptare. Në këtë kuptim, elita e alternativës shqiptare nuk është elitë revolucionare. Është elitë e secesionit, ndonëse nën sundim të dhunshëm të Beogradit, e shkëputjes shpirtërore, e ndarjes shoqërore nga ai administrim që shqiptarët i dëboi nga institucionet .
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk funksionoi fillimisht si parti politike në kuptimin klasik por u bë lëvizje e gjerë shoqërore, aparat mbijetese, strukturë koordinimi paralel. Roli i saj historik nuk ishte të fitojë pushtetin, por ta mbajë shoqërinë të organizuar jashtë pushtetit. Kjo është arsyeja pse LDK-ja u bë strumbullari i elitës së alternativës shqiptare: jo për shkak të programit, por për shkak të funksionit.
Përbërja e elitës së alternativës shqiptare ishte heterogjene, jo ideologjikisht e pastër, por funksionalisht e përbashkët. Brenda saj ishin: a) ish-elita komuniste e “konvertuar”. Një pjesë e aparatit komunist shqiptar të Kosovës kalon në alternativë jo si akt pendese, por si adaptim për mbijetesë. Ata sillnin: përvojë organizative, njohje të administrimit, aftësi koordinimi. Kufiri i tyre ishte i qartë: ata e dinin si të menaxhonin rendin, por jo si ta çojnë në çlirim të plotë; b) elita kulturore dhe intelektuale, shkrimtarë, profesorë, arsimtarë, mjekë, bartës të gjuhës, dijes dhe normës. Kjo elitë i dha alternativës legjitimitet simbolik. E mbajti gjallë idenë e normalitetit, e përktheu rezistencën në gjuhë të kuptueshme para faktorit ndërkombëtar. Por ajo kishte kufirin e vet: nuk ishte elitë për përballje ekstreme; c) administruesit e jetës paralele. Këta ishin njerëzit e padukshëm të sistemit paralel: mësuesit pa shkolla, mjekët pa spitale, punonjësit pa paga. Kjo shtresë nuk prodhoi ide, por mbajti trupin shoqëror gjallë. Në prizmin e vazhdimësisë minimale, kjo ishte bërthama reale e alternativës; ç) legjitimiteti moral i heshtur i elitës së burgut. Edhe pse elita e të burgosurve politikë nuk sundoi alternativën, ajo e rrethoi atë moralisht. Prania e saj ishte kufi etik, kujtesë e mospranimit, paralajmërim ndaj pajtimit total.
Lideri i kësaj alternative, Ibrahim Rugova ishte produkt i elitës kulturore të viteve ’70. Strategjia e tij nuk ishte shpërthim, por durim institucional. Kjo nuk ishte dobësi. Ishte mënyra e vetme që elita dinte të operonte. Durimi ishte refleks i autonomisë. Jo i shtetit të plotë. Si figurë sintetizuese nuk ishte lider karizmatik i përballjes, por administrator i durimit kolektiv. Roli i tij nuk ishte të mobilizonte për fitore, por të ulte temperaturën e dhunës, të shmangte shpërthimin e parakohshëm, të mbante alternativën të lexueshme për botën e jashtme. Në terma të vazhdimësisë minimale, Rugova mishëronte idenë: më mirë një jetë e paplotë që vazhdon, sesa një përballje që mund ta shuajë jetën. Kjo e bëri atë figurë kyçe, por edhe figurë thellësisht të kontestueshme.
Kufiri strukturor i elitës së alternativës shqiptare kishte një kufi të pakalueshëm: ajo nuk mund të përballej me dhunën ekstreme. Ajo funksiononte për sa kohë shteti shtypte, por nuk shfaroste, për aq sa dhuna ishte strukturore, jo shkatërruese. E kur ky prag u kalua (1997 -1998), alternativa humbi funksion mbrojtës. Ky moment historik nuk është dështim moral. Është kolaps funksional.
Marrëdhënia me dy elitat e tjera. Me elitën komuniste alternativa e trashëgon përvojën organizative, por e braktis besnikërinë ndaj sistemit. Me elitën e burgut alternativa e respekton etikën e saj, por nuk e ndjek si strategji. Kjo e bën elitën e alternativës elitë të ndërmjetme, por historikisht të pazëvendësueshme.
Elita e alternativës shqiptare (1989–1999) nuk ishte elitë çlirimi. Ishte elitë mbajtjeje. Ajo nuk e rrëzoi rendin, por e bëri atë të parëndësishëm për jetën shqiptare. Nuk e fitoi lirinë, por e shtyu zhdukjen. Elita e alternativës shqiptare krijoi një formë të re të vazhdimësisë minimale: jetë pa shtet, por me normë, pa pushtet, por me rend; pa liri, por pa shpërbërje. Dhe kjo është arsyeja pse: ajo nuk duhet idealizuar, por as anashkaluar.
LDK TË BURGOSURIT POLITIKË
Në Kosovën e viteve ’90, u krijua një paradoks historik që ende nuk është analizuar pa patos: elita që kishte paguar çmimin më të lartë për mosnënshtrim ndaj shtetit jugosllav nuk u bë elita dominuese politike, ndërsa pushtetin simbolik dhe institucional e mori një elitë tjetër, ajo e durimit të organizuar, e përfaqësuar nga LDK-ja. Ky nuk është paradoks moral. Është konflikt regjimesh legjitimiteti.
1. Dy burime legjitimiteti. Burimi i legjitimitetit të elitës së të burgosurve politikë i bazuar në sakrifica personale (burg, dhunë, përjashtim) përmes refuzimit të sistemit u shndërrua në autoritet moral. Kjo elitë pati gjuhë të qartë: shteti jugosllav ishte aparat i padrejtë. Synim i saj – ndryshim statusi, jo menaxhim i tij. Figura emblematike këtu mbetet Adem Demaçi, jo si politikan funksional, por si standard moral i mospranimit. Legjitimiteti i Lidhjes Demokratike të Kosovës erdhi nga organizimi masiv. Ajo demonstroi autoritet nga aftësia për të mbajtur shoqërinë në këmbë, Përdori gjuhë të matur, diplomatike, jo-konfrontuare. Synim i saj: mbrojtje e vazhdimësisë minimale në kushtet e dhunës strukturore. Figura qendrore e saj ishte Ibrahim Rugova, jo si ideolog, por si administrator i durimit kolektiv.
2. Pse dominoi LDK-ja? LDK-ja nuk dominoi se ishte “më e drejtë”, por ngase ishte më e përputhshme me gjendjen ekzistenciale të shoqërisë kosovare pas vitit 1989. Shoqëria kishte nevojë për shkolla, paga minimale, mbijetesë familjare, shmangie të shkatërrimit total. Këto nuk i garantonte elita e burgut, sepse: ajo fliste nga lartësia e sakrificës, jo nga infrastruktura e jetës së përditshme. LDK-ja u bë hegjemone sepse i ofroi shoqërisë një formë të organizuar të vazhdimësisë minimale.
3. Kufiri i elitës së burgut. Elita e të burgosurve politikë kishte një problem strukturor: ajo ishte elitë e refuzimit, jo e administrimit, elitë e parimit, jo e sistemit alternativ. Në një shoqëri që jetonte nën presion total, kjo elitë frymëzonte, por nuk stabilizonte. Në terma brutalë: burgjet prodhojnë autoritet moral, jo institucione. Kjo e bëri elitën e burgut të nderuar, por politikisht periferike.
4. Raporti konfliktual mes dy elitave. LDK-ja e shihte elitën e burgut si rrezik për stabilitetin, faktor qartazi provokues, që mund të shkatërronte hapësirat minimale të fituara. Elita e burgut e shihte LDK-në si menaxhere të robërisë, aparat që e normalizonte status quo-në. Kjo përplasje nuk ishte keqkuptim personal. Ishte përplasje midis dy etikëve: etika e mbijetesës me etikën e mospranimit. ]
5. Populli – arbitri i heshtur. Populli i Kosovës nuk e zgjodhi LDK-në sepse ishte më heroike, por ngaqë e mbante jetën funksionale, e ulte koston e përditshme të represionit, i jepte shpresë pa rrezik të menjëhershëm. Ndërkohë, populli nuk e braktisi moralisht elitën e burgut, – ajo mbeti referencë, kufi etik, kujtesë e asaj që nuk duhet harruar. Kjo është arsyeja pse elita e burgut nuk sundoi, por as nuk u zhduk.
6. Çfarë ndodh kur vazhdimësia minimale nuk mjafton më? Kur në vitet 1997–1998 dhuna kalon pragun biologjik, ndodh një zhvendosje – durimi humb funksionin mbrojtës, organizimi paqësor nuk mjafton më. Në këtë pikë elita e burgut rifiton aktualitet moral, por tashmë terreni është i militarizuar. Kjo është arsyeja pse lufta nuk prodhoi elitën e burgut si elitë sunduese, por një konfigurim të ri pushteti.
7. Përfundim i pamëshirshëm Elita e të burgosurve politikë nuk humbi ndaj LDK-së. Ajo u tejkalua nga një nevojë historike më urgjente: mbajtja gjallë e jetës. LDK-ja nuk ishte zgjidhje përfundimtare. Ishte zgjidhje emergjente.
Pra, elita e burgut e mbajti të gjallë idenë e lirisë, LDK-ja e mbajti gjallë shoqërinë. Dominimi i LDK-së nuk ishte fitore ideologjike, por triumf i vazhdimësisë minimale në kushtet e presionit total. Mendoj që kjo është arsyeja pse asnjëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën.
ELITA E LUFTËS (1998–1999) THYERJE E DOMOSDOSHME, SUKSES HISTORIK, PASLUFTA
Në rendin e elitave të Kosovës, elita e luftës nuk vjen si alternativë politike mes të tjerash, por si alternativë e fundit, kur të gjitha format e mëparshme të vazhdimësisë minimale kanë humbur funksion mbrojtës. Në këtë kuptim, elita e luftës nuk lind nga projekti, por nga kolapsi i projekteve. Nëse elita komuniste administroi jetën brenda sistemit, elita e burgut e refuzoi sistemin moralisht, elita e alternativës shqiptare e zhvendosi jetën jashtë sistemit, atëherë elita e luftës e prish sistemin me forcë, sepse jeta nuk mund të vazhdojë më as brenda, as jashtë tij.
Konteksti ekzistencial: kur pragut i hiqet dyshemeja
Vitet 1997–1998 shënojnë një ndryshim cilësor të dhunës. Shteti serb nuk synon më vetëm kontroll, por shpërbërje të trupit shoqëror shqiptar: djegie fshatrash, dëbime, vrasje, frikë sistematike. Në këtë pikë vazhdimësia minimale institucionale është shkatërruar, vazhdimësia minimale paralele është çarmatosur funksionalisht dhe durimi pushon së qeni mbrojtje. Elita e luftës lind jo sepse shoqëria zgjedh luftën, por nga fakti që nuk i mbetet alternativë tjetër për të ruajtur ekzistencën. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u lind si organizatë klasike. Ajo është strukturë e reagimit ekstrem. Elita e saj nuk prodhon program as institucione e as konsensus. Ajo prodhon rezistencë fizike, mbron territorin, mbron trupin, mbron aktin e mosikjes. Në këtë kuptim, elita e luftës është elitë funksionale, jo normative.
Elita e luftës nuk është homogjene. Ajo përbëhet nga: a) bartës të rezistencës së armatosur lokale, komandantë terreni, figura mbrojtjeje komunitare. Autoriteti i tyre buron nga prania fizike, ndarja e rrezikut, afërsia me vdekjen. Ky autoritet është i përkohshëm, i lidhur vetëm me luftën. b) nga figura simbolike të sakrificës. Këtu hyn figura e Adem Jasharit, si pikë e kthesës ekzistenciale: mos-ikja bëhet figurë, qëndrimi bëhet sakrificë, vazhdimësia minimale çahet publikisht. Këto figura nuk janë elitë qeverisëse, por elitë themeluese morale të momentit ekstrem. c) nga ndërmjetës politikë të luftës, – individë që e përkthejnë luftën në gjuhë politike dhe diplomatike.
Marrëdhënia me elitat e tjera. Elita e luftës tejkalon filozofinë e elitës së alternativës shqiptare, duke e shpëtuar vendin nga kolapsi total. Në raport me elitën e burgut: lufta e konfirmon etikën e mospranimit, duke e zhvendos nga rrafshi moral në atë fizik. Në raport me elitën komuniste, lufta e mbyll përfundimisht ciklin e administrimit brenda sistemit jugosllav/serb. Elita e luftës është, pra, elitë e ndërprerjes, jo e vazhdimësisë së butë.
Tri përparësitë vendimtare
Në historinë e elitave të Kosovës, elita e luftës përfaqëson momentin kur vazhdimësia minimale më nuk administrohet, nuk refuzohet, nuk zhvendoset më, por mbrohet me armë. Në këtë kuptim, UÇK-ja përfaqëson një nga rastet më të suksesshme të luftës guerile të shekullit XX, jo për shkak të madhësisë ushtarake, por për shkak të përputhjes së rrallë midis rezistencës lokale, legjitimitetit moral dhe aleancës ndërkombëtare.
Përparësia ekzistenciale e UÇK-së qëndron në faktin se ajo nuk zhvilloi luftë ekspansioni, as luftë ideologjike për eksport. Ajo zhvilloi luftë në vendin e saj, në territorin e saj, për mbrojtjen e popullsisë së vet, me një objektiv të kufizuar dhe ekzistencial: mos-zhdukjen. Kjo i dha luftës së saj tri përparësi vendimtare.
E para, legjitimitet të brendshëm (lufta nuk u perceptua si aventurë), mbështetje shoqërore (streha, informacioni, mbijetesa), mungesë të konfliktit për “territore të huaja”. Në termat e vazhdimësisë minimale, kjo ishte luftë për prag, jo për dominim.
E dyta: bashkëpunimi me Perëndimin – racionalitet, jo nënshtrim. Ndryshe nga shumë lëvizje guerile të shekullit XX, UÇK-ja nuk u izolua ideologjikisht. Ajo kuptoi shpejt një realitet kyç: pa ndërhyrje perëndimore, vazhdimësia minimale shqiptare në Kosovë nuk mund të mbrohej. Bashkëpunimi me Perëndimin nuk ishte as tradhti e kauzës, as humbje sovraniteti moral, por përshtatje strategjike ndaj një raporti force absolutisht asimetrik. Ky racionalitet e dallon UÇK-në nga guerilet dogmatike që luftuan “deri në fund”, por humbnin popullin që pretendonin të mbronin.
E treta, hapja e rrugës për ndërhyrjen e NATO-s. UÇK-ja nuk e fitoi luftën ushtarakisht ndaj Serbisë. Por ajo bëri diçka historikisht më të rëndësishme: e bëri ndërhyrjen e NATO-s të domosdoshme dhe të legjitimuar. Pa rezistencën e armatosur dhuna do të ishte “çështje e brendshme”, represioni do të vazhdonte në heshtje, spastrimi etnik do të kishte më pak kosto politike për Perëndimin. UÇK-ja konfliktin e bëri të dukshëm, e bëri dhunën të padurueshme, Kosovën e shndërroi në çështje ndërkombëtare. Në këtë kuptim, elita e luftës ishte katalizator historik, jo thjesht forcë ushtarake.
Një nga provat më të forta të suksesit të elitës së luftës së UÇK-së ishte suksesi i demilitarizimit. Pas qershorit 1999, UÇK-ja nuk u shndërrua në ushtri rivale, nuk hyri në konflikt me strukturat ndërkombëtare, nuk prodhoi luftë civile. Në historinë e lëvizjeve guerile, kjo gjendje është përjashtim, jo rregull. Demilitarizimi tregoi se elita e luftës e kuptoi se funksioni i saj ishte i përkohshëm. Autoriteti i saj nuk duhej të mbijetonte si armë. Kjo është dëshmi e pjekurisë strategjike, jo e dobësisë. UÇK-ja nuk luftoi kundër elitës së alternativës shqiptare. Në një shoqëri të traumatizuar, kjo është arritje madhore.
Pikërisht sepse elita e luftës ishte e suksesshme, lind problemi i saj pas 1999-s. Suksesi krijon tundim: ta zgjasësh autoritetin përtej nevojës, ta kthesh domosdoshmërinë në meritë të përhershme, ta shndërrosh luftën nga mjet në identitet. Pra, elita e luftës ishte forma më e suksesshme e vazhdimësisë minimale të Kosovës: ajo mbrojti jetën, fitoi aleatë, hapi rrugën për ndërhyrje ndërkombëtare dhe u çmilitarizua pa e shkatërruar shoqërinë. Por suksesi i saj nuk e përjashton nevojën për kufi pas luftës. Kjo nuk është mohim i çlirimit. Është pjekuri e çlirimit.
Elita e luftës e shpëtoi vazhdimësinë minimale duke e thyer atë. Pas 1999-s, një pjesë e elitës së luftës nuk pranon kthimin në status civil dhe pushtetin e konsideroi si vazhdim të luftës duke e përdor sakrificën si mandat politik. Elita e luftës refuzoi të vdesë simbolikisht kur lufta mbaroi. Elita e luftës ishte e domosdoshme, por domosdoshmëria nuk është licencë e përhershme…/hejza
ObserverKult
Lexo edhe:






