Elona Çuliq: Trupi saj asht dhimbje

Trupi saj asht dhimbje
çdo ditë në orën 12:00 ajo ka seancën terapeutike.
Mbas saj terapistja del e çlirueme nga dhoma
me duert kuq nga trishtimi
dhe lot gëzimi në sy
ka ma pak dhimbje sot
terapia po ecën mirë.
Mandej del ajo
ashtu e lodhun nga një orë ku duart e një të panjoftune
mundohen me i mbyllë plagë
e me e shërue nga kujtimet dhe e kaluemja.

12 vite që ajo asht vajza e atij që e përdhunoi.
10 vite që asht gruaja e dikujt që nuk mundet me ba dashni me te
sepse dhimbjet dhe plagët e së kaluemes nuk janë mbyllë hala.

Ajo nuk flet për të atin
askush nuk flet për të
as familja atëherë apo sot
as drejtësia atëherë apo sot
dhe çdo ditë që vjen
bëhet më keq
shumë më keq

vajza përdhunohet
gruaja gjymtohet me sëpatë
dhe fëmijët pijnë gjak nga gjini i saj.

Ne pijmë gjak nga gjini i saj.