Këngëtar, autor tekstesh dhe instrumentist, Elton Deda qysh në moshë shumë të re filloi të merret me muzikë. I biri i dirigjentit të njohur Ferdinant Deda, për herë të parë para publikut, u shfaq pikërisht me një këngë kushtuar babait të tij.
Si një nga artistët më të njohur në Shqipëri, Elton Deda paraqitjet e para i kishte me grupin “Tingulli i Zjarrtë”.
Në vitin 1993, ai largohet nga ky grup dhe formoi “Aneroid grup”, duke sjellë eksperimente e stile të reja.
Në vazhdim po ju sjellim tekstin dhe interpretimin brilant nga këngëtari të këngës “Qyteti i vjetër”, që konsiderohet një nga hitet e Elton Dedës.
Ndjehem i vrarë
Rënkon trupi im dhe i vajzës
Që e kam pranë
Që pranë e kam.
Ti hënë e zbehtë
Ngrohi këmbët e mia të zbathura
Që ecin vetëm drejt
…ato pa adresë
Ku je ti, vajzë
Me qytetin ishim shokë
Humbëm gjithçka që deshëm
Ajo nuk kthehet tek ne
Në ecjen tënde
gjithçka sot m’u duk e zbrazët.
Qeshën me ty frikacakët
dhe ata që baltë mbi ne hodhën.
Dhe sot…
E vetme je ti përballë meje
E vrarë është ëndrra
Ndaj sytë e tu përgjumjen se duan
Ata që flenë me zërin tonë
Pranë do na kenë
Në këtë qytet të vjetër
Ku jeta tashmë lind
Larg do të shkojmë, ndoshta jo shumë
Zemrën e lamë te ky vend ku unë dhe ti
U deshëm shumë dhe deri larg
…në harrim.
Lotët u derdhën…
Mbi faqen tënde të brishtë
Ku koha gjurmë ka lënë
Ato i shoh
Me flokët luaj unë
Ndoshta tani më i qetë se më parë
Si në ëndërr
…ishim të dy.
E përgatiti: A. S.- ObserverKult
———————–