Emin Z. Emini: Ende harku

është a s’është harku zbulim romak nuk është llafi ky
ka mundësi të jetë thupra e lakuar e indigjenit
kur i pafrymë prapa panjës pret prenë
t’ia çajë zemrën me shigjetë

ka ca zemra dhe ai për t’i rritur në shpellë

ndoshta harku është prerje e rrethit babilonas në pllakën e argjilës
degë e pemës harkuar dhembjesh
ndoshta vija e vitheve të evës

është një bajgë dinosauri e ndarë përgjysmë
një gjysmëhënë që përnatë përlahet me detet
një re e plistë në qiell
kur gishtat e erërs kthehen në brusha
të pikturojnë me ngjyrat e shiut varka malli
për ty të bërë pluhurnajë kozmike

vetullat e rozafës janë harqet mbi të cilat është ngritur ura
përposh tyre sot e asaj dite prandaj
rrjedh lumë i qumështit për fëmijët e panënë

mizori burrash është harku
mallkim grash për linjat e prushta

dy harqe bërë bashkë është bota
që do të thotë një rrotë qerreje
përudhur për në paudhë

e ç’më duhen tani këto gjëra koti
kur ende të dua
moirë.

ObserverKult


Lexo edhe:

EMIN Z. EMINI: ZOTI DASHURI ËSHTË