Emin Z. Emini: Letër gruas nga fronti i luftës

Emin Z. Emini

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Letër gruas nga fronti i luftës” të poetit Emin Z. Emini!


e dashur grua
mushkëritë e qiellit të atdheut
i ka kapur kolla e keqe nga bombardimet e avionëve
retë murrashe gjak e zjarr kullojnë
mbi kokrrat e kallinjve kokëpërkulur

sot
e vetmja ëndërr që ushtarët në front
kanë të drejtë ta shohin
është kama e çelikut
duart e qefinta që ia shkurton murtajës
paj edhe ndonjëri syresh
guxon tinëz të ëndërrojë të dashurën
gërshetat duke shpleksur

po ti
mos kij drojë nga era e barotit dhe shkrumbi i ajrit që ta zë grykën
malli kur fëmijët t’i merr
rrudhat e ballit si dikur kur do të m’i numërosh
eja në istikame
veshur me petalet e luleve të malit

të gjithë luftëtarët do të dashurohen në ty
ti do të ndihesh edhe më e bukur
edhe më e dashur

paj punë e madhe
në qofsha unë i gallë
të jap fjalën të gjithë do t’i vras

kur të vish
ndodh të jem me fytyrë kthyer kah dielli
shtrirë te këmbët e bjeshkës
duke luajtur me rrezet
nën hijen e një gështenje të egër

nëse nuk e gjen kund pemën kurorëmadhe
që çelur ka pak mbi varrin tim
hesht

hesht dhe lumturohu me lojën e fëmijëve

topi i llastikut që ua pata blerë në bregdet
kur butë e lehtas rastësisht të qëllon në gjoks
dije
ai jam unë

topi që e mbusha me frymën time
ditën që u nisa në luftë

ObserverKult

Lexo edhe:

NAZIM HIKMET: DO JESH TRETUR PËRGJITHMONË…