Enkeleda Ristani: Një copëz për gruan që jam

gyter enkeleda ristani

S’e kam lehtësinë e një takëm grash
Vishem lirë
Ha pak
Fle keq
Pi ndonjëherë sa dehem
Dehem ndonjëherë pa pirë
Ngjëroj mirë pije të shtrenjta
e njësoj gëlltis edhe lëtyra
Flas pa kocka nëpër gojë
por kjo s’i hyn në punë as dreqit
Jashtë bën botë e egër dhe unë
asnjë dhëmb në gojë që ta kafshoj
Paratë më mbajnë peng fuqinë
Nuk bëj dot udhëtime të gjata
as nuk ëndërroj
qameti, udhëtoj nga koka ime deri në brigje të panjohura
të rrapullive të mia modeste
Nuk mendoj se gjërat mund të rregullohen
as nuk shpresoj
dhe kjo më heq ca etiketa buzëqeshjesh shtiranake
nëpër tavolina të lodhura
me ngjyra në nevojë
Nejse, një grua që shkruan vargje
është vetëm kaq: një grua që shkruan vargje
Rrugën për në ferr e ka të shtruar pa asnjë mundim
që nga toka
nëse ferri është mbartur diku tjetër ndonjëherë
Krenaria ime thyen kokën nëpër taka të larta
të thyeshme edhe ato nga të tjerë
Kur dashuroj aq pak herë sa mundem
dashuroj të pamundurat
sepse është thënë, duket
në librin e mallkuar të lindjes sime
faqja 49
“Do dashurosh me pasion vuajtjen”
Nuk di kush e tha
por di që vazhdon edhe më cinike
“Do shkruash pa shkruar dot deri në fund”
dhe pastaj, si fletët e kujtesës mbi kanatën e frigoriferit
ngjiten në rrudhën time më të thellë të ballit
E tani ndoca herë
thyej pasqyra nëpër cepa banjash
që të mund të arratis herëdokur sytë
nga e vërteta
që s’ma pranuan asnjëherë të zbuluar…

ObserverKult


enkeleda ristani me puthje klithmë e nevojshme

Lexo edhe:

ENKELEDA RISTANI ËSHTË PJESË E ANTOLOGJISË SË POETEVE SHQIPTARE “MAGMA”

Enkeleda Ristani  është pjesë e Antologjisë së poeteve shqiptare “Magma”, përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.

U lind në Fier më 1974. Ka botuar: “Perënditë vishen me mjegull”, “Nesër është e vona ime”, “E di, Gyter?”. Përfundoi studimet e larta në degën e administrim-bisnesit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult