Entela Kasi: Për kurrkund jam mësuar

?

Kah kur fjala gdhendej mbi gur, e piqej në pllaka balte
Tjetër gjuhë flitej dhe kur ka dashtë me besë njeriu
Deti bëhej rrugë për njerëz.

Thuhej për ku? Për kurrkund mësuar jemi – thuhej.
Por plaku i mençur me shkop në dorë, bëri një shenjë
Mbi krye
E u bë udhë, mes ujit bash u ba tokë!

Sonte këtë kangë i këndoj plagëve të hapura që pyesin,
E thonë: për kurrkund jam mësuar…

Kurkundi nuk ekziston.
Po të ishte nuk do të ishim.
Jemi!

Gjithçka tjetër një re e zezë që kris
e bie.

Si të gjitha kraukrimat e korbit
Që nuk mundet me u ba i bardhë!

Ose si vredeqekeksi që mbetet pellgjesh.
Tash kurrgja nuk po kam as me korbat, as me pellgjet.
Po lexoj plakun që bëri një shenjë mbi krye
Kur pyetej për ku, mijëra vjet kaluar!
E bash mes ujit u bë tokë!
Kurkundi nuk ekziston.
Jemi.

22. 07. 2019
Kosovë