Entela Tabaku: Sapo më ndodhi diçka shumë e çuditshme

Poezi nga Entela Tabaku

sapo më ndodhi diçka shumë e çuditshme
bota rreth meje
papritë hyni në slow motion
midis pyetjes
e përgjigjes u fut një minut i gjatë
e pata kohë me mendu
pa iu trembë pyetjes që vjen mbrapa
e bindun se edhe mbas saj
kam me pasë kohë prapë
në atë minut të pafund kuptova se si në moshë të rritun
veç jam hekë si e pafajshmë dhe e paditun
që burrave me iu dukë vedi të mençun
dhe grave me iu zgju nevoja me më mbrojtë
kam përpëlitë qepallat në pasthirrma gazmore
që burrave me iu dukë vedi të mprehtë
dhe grave se në mu një aleatë kanë gjetë

në atë minut i pashë të tanë tej për tej
e ata më panë mu
askush nuk mujti me u msheh
në kështjellën që rreth vedit paskam ndërtu
të tanë i nxora jashtë
të huej e shqiptarë
e unë mbas tynë në këmishë marshova
42 vjeçe nuk asht moshë me jetu në kala me legjenda
me lodhë vedin e të tjerët me gjaegjëza
unë jam e gjallë dhe e vërtetë
e vetmja Unë mbi këtë dhé

ObserverKult

Lexo edhe:

ENTELA TABAKU: EJANI TË MOS PLAKEMI GRA!

Ka disa vite që po pres
atë që shqiptarët në moshën teme gjithmonë kanë ba:
po pres me u plakë.

Mos e kemi në gen me u plakë shpejt?
Se këtu as plakat nuk plaken.
Kurse ne e lëshojmë vedin herët,
nisim me thanë “u plaka”
“u plake”
sapo fëmijët na rriten pak.
Në fillim jemi vajza
mandej jemi
plaka.

Pse e plakim njena-tjetrën
brez mbas brezi
gra?
Shtyjmë vedin e tjerat me luejtë rolin e plakës:
ejani gra të luejmë plakash,
plaka të nderueme.
Harrojmë vedin,
jetojmë veç për të tjerët.
”Dukesh si vajzë e re” i bajmë kompliment
ndonjenes që nuk hyn në rol,
gruas që i ka katërdhjetë
pesëdhjetë vjet,
e bukur dhe e fortë.

A thue me mendjen e burrave kemi mendu
gra?
Se burrave u pëlqejnë vajzat e reja
e veç të rejave munden me ia dalë.
Kurse ne i njohim mirë.
Mos ndoshta na kanë plakë,
pse plakat nuk dinë asgja?

Ejani të mos plakemi
gra!