“Epilog”, poezi nga Irena Dragoti

Gjithçka është e turbullt,
kur horizonti fshihet pas një reje të rëndë,
dhe hapat ngatërrohen,
duke tymosur mjegullën e udhës.

Oh, si dorëzohet fryma,
kur dikush fryn stuhi në mushkëritë tua,
Lavde të mekura delirojnë buzët, për të gënjyer etjen,
Të rrëshket trishtimi i mpirë në retinë;
si mëngjeset që ju bie bryma,
nga lotët e Krijuesit.

Sa vështirë, të flesh zhveshur nga ëndrrat,
veç një dritare e avullt të mbron nga yjet,
tek qëndisin fatin në qiell,
si një mirazh,
që ia tret mesnata, hijen e lumturisë,
dhe koordinatat e gjetjes.

Dhe të pëshpërit epilogun përralla
humb, tretu, zhduku,
je shenja e një vuajtjeje që u bë bindje
kur mendohej se do ishte më mirë…

ObserverKult


Lexo edhe:

IRENA DRAGOTI: LETËRSIA KËRKON FORCË MORALE MË SHUMË SE ÇDO PROFESION TJETËR