Erdha të të dashuroja në pushimin e drekës…

Poezi nga Guido Catalano

Erdha të të dashuroja në pushimin e drekës,
por të thirrën në mbledhje.
Doja të të merrja në telefonin e zyrës
dhe si terrorist i çmendur të bërtisja:
“Kemi vënë bombë në ndërtesë.
Keni gjysmë ore kohë, pastaj shpërthen.
Dhe mjaft bëtë mbledhje idiote
në mes të ditës, me gjysmë budallenjtë!”

Dhe mbledhja do të prishej
dhe ne do të shkonim të hanim drekë buzë lumit,
tani që u hap edhe qielli.

Unë do të vija duke fishkëllyer me biçikletë
dhe ti do të më thoje:
– Sa mirë! Na lajmëruan për bombë.
Dhe unë do të të përgjigjesha:
– Mirë që i kemi këta terroristët e çmendur!

Erdha të të dashuroja në pushimin e drekës.
Ndoshta një ditë do të vishem si njeriu merimangë
dhe do të të rrëmbej nga dritarja.

Përktheu: Elona Caslli

ObserverKult


Lexo edhe:

GUIDO CATALANO: SIPAS MARRËVESHJES NDALA SË DASHURI TY…

Sipas marrëveshjes ndala së dashuri ty.
Sipas kontratës,
nisur nga sot,
nuk do të të ëndërroj më,
nuk do mendoj për ty duke i pëshpëritur hënës,
hëna, po ashtu, do ndalë së më qeshuri në fytyrë,
nuk do t’ i torturoj të gjorat,
të pambrojturat luledele,
duke u shkulur të brishtat petale të bardha,
nuk do shëtis vetmuar qytetit,
dridhur e shpresuar të të takoj rastësisht
për të rishkuar në vendet e puthjeve te para…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU