Erina Çoku: Kur të shkosh te Zoti

erina çoku

Kur të shkosh te Zoti – te Zoti kur të shkosh
fjalët e mëdha do të të shpjegojnë fjalët e vogla
dhe fjalët e vogla do të të tregojnë për fjalët e mëdha.

Ti nuk do të pyesësh: Përse?
Ti do ta dish përgjigjen.

Kur të shkosh te Zoti – te Zoti kur të shkosh
vetëm dashurinë do të marrësh
vetëm dashurinë do të kesh.

Ti mos pyet: Përse?
Ti do të më kesh përgjigje.

Kur të shkosh te Zoti – te Zoti kur të shkosh
bota e gjitha brenda teje do të kthehet,
fillimi e mbarimi në një.

Ti nuk do të thuash: Përse?
Ti do të jesh përgjigjja.

ObserverKult

———————————————

Erina Çoku ka mbaruar shkollën e mesme “Pjetër Budi” në Burrel (1994-1998) dhe studimet e larta për Gjuhë-Letërsi (profil Gjuhësi), në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës (1999-2003).

Ka botuar dy vëllime poetike:  “Krahë s’kanë ëngjëjt e mi” (“Toena”, 1997) dhe “Gjurma e gjethes”  (“Botimet WestPrint”, 2011).

Poezitë dhe e shkrimet e saj janë publikuar në revista, antologji dhe mediume të ndryshme letrare, si: “Poeteka”, “Milosao”, “Radi and Radi”, “Poets and Writers”. Pastaj në“Botimet shqiptare”, “Fjala Review”, “Emathia”, “Kultplus”, “Tetova News”, “Darsiani.com”, “Mapo”,  “Telegraf”, “Dita”, “Observer.com”,  “Albmendimiarts.com”, “Shekulli”, “Tirana Post”, “Shkodra Press”, “Zemra Shqiptare”, “Gentlewomen”, “Fjalashqipe.com”, “Koha”, “AtunisPoetry”, “Revista Letrare”, “ObserverKult”, “Tekste Shqip”, “Ars Albanica” etj.

Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme poetike, si: “Poeteka”, “Portiku letrar”, “Festivali i poezisë së pabotueme”, “Verë dhe poezi”, “TransformArt”, “Takimet Ndërkombëtare Azem Shkreli”, “Këngë dhe poezi”, “Ditët e Naimit” etj.

Ka pasur një bashkëpunim artistik (si krijuese dhe redaktore) për tekstet përshkruese të pikturave të artistit italian Luca Moriçi (Luca Morici) paraqitur në ekspozitën “Il dolore” (Dhimbja), 2012.

Është redaktore e mjaft librave me poezi, ka punuar prej vitesh si redaktore letrare në shtëpinë botuese “Pegi” dhe aktualisht punon në Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Po përgatit veprën e tretë poetike…

LEXO EDHE: CIKËL ME POEZI NGA ERINA ÇOKU: ATJE KU ISHUJT E SHPËTIMIT JANË