Dashuria thërrmohet si bukë për shpendët përtacë të strehëve për milingonat e egra të qoshkave për humusin e pemëve të mbijetuara në qytetin e turbullt ndanë një mali.
Dashuria bëhet lëndë veshtullore u ngjitet të gjitha objekteve u vishet reliev i padukshëm ndërtesave u shkruhet në shpinë kalimtarëve si gjuhë e turbullt fatthënash.
Dashuria lëshohet prej qielli si lavjerrës ore kacavaret bimë toke mureve të plasaritura rri pezull gjendje e pestë e lëndës ngjishet brenda krijesës si një shqisë e përveçme ende e panjohur.
Dashuria shpërbëhet në tinguj jehohet në trupin tim, jehohet në trupin tënd, mbush hojëzat e krijesës që jemi.
Dashuria ndodh kështu, ndodh dhe ashtu shndërrime të vogla në tempullin që jemi gjersa ne njohim veten tonë të panjohur, duke u parë në njëri-tjetrin.