Ernest Koliqi: Duert e nânës

Ernest Koliqi

Nga Ernest Koliqi

U zgjue. Nji të nxehtë i mërzitshëm në trup e nji rândim kreje i dhanë ndijen e zgjimit. Përgjumshëm mendën kaplue prej àvujve të gjumit, njiherë së pari s’dinte se ç’orë ishte as ku gjindej. Hapi syt e i mbajti çelë dy çasa të vetëm.
Orendít e odës së huej, ku ai përkohësisht banonte, erdhën e u futën në shikim të tij ashtu si mbytën sendet në nji liqê.

Oda me dy pasqyrat e saja, me tryeza mbushë me libra, me raft e me lavabo, qëndronte në nji gjymsë drite të lehtë.

Ai ndieu nji të dridhun trishtimi tue e pà. Ah, me çelë syt e m’u gjetë n’odën e vet, në Shqipní! Kapakët e dritoreve t’afruem e koltrinat e bardha zbutshin dritën, e cila jashtë dukej e gjallë. Ishte mbasdite.

Prap mbylli syt. E atëherë heshtja i u avit si dét mje ke veshët.
Xhamat e dritoreve të hapuna lêjshin me hy n’odë zhurmën e zânet e rrugës. Ai banonte në nji ndër udha má të qeta t’atij qyteti të huej…Nji zile tringulloi e pak mbrapa nji portë krisi tue u hapë e tue u mbyllë; do hapa kumbuen e u larguen; nji zâ grueje i largët thirri e mbandej qeshi.

Ai e shijonte at qetí tue mendue do zâne të njoftuna tjera, ato të shtëpís atnore.
Kryet i dhimte. Syt me i çelë i digjshin. Nji jone pjanoforte kah fundi i rrugës nisi me e kënaqë e njiherit m’e trazue. Kujtoi se do të mundte me ndjekë fillin e melodís. U shtrî prapët në shtrat, tue mbështetë qafën edhe butin e krés në jestek e tue lânë veshët e lirshëm.

Por vúni roe menjiherë se duert e shpejta e të zhdërvjelluna qi shetitshin poshtë e nalt tastjerën e largët, përsritshin me kujdes nji ndër aso ushtrimesh të vishtira e të ndërlikueme, të cilat kunorzojnë nji studjim shum vjetsh.

Shkalla herë të planta herë të pingulta tingujsh, qi holloheshin e zgjânoheshin, tue u shtue e tue u rrallue, vijshin e ngreheshin përpjetë n’at paq mbasditjeje. Atij i gitej si m’u ngjitë nëpër to hov hov , dhe, i arrijtun në kulm, m’u rrëzue në nji shpraztí, prej kah binte në njí shpraztí tjetër disi mâ të hapun, deri sa ato duer të panjoftuna të largta prap e kapshin edhe e naltojshin kâmbë kambë maje nji piramidje tingujsh…

Në fillim u ngjit e u zbrit disi me andje; mbas pak kohe ato shkalla qi rrëxoheshin e prap ngreheshin u bânë nji torturë për tê. Mshefi kryet nên mbloje për mos me ndëgjue. Kumboi nji hap nên dritore.
Të tânë shpirti i tij ndêi pezull në kumbim t’atij hapi. Nuk i thonte kurrgjâ. Kâmbë të panjoftuna.

Përkujtoi hapat shtëpijakë nëpër çardak, atje. Të gjithë i njifte në t’ecun gjinden e vet. Nji hap tjetër u afrue e u largue n’udhë qi heshte. Sa gëzim me njoftë papritmas nji hap të dashun e m’e ndëgjue tue u ndalë: nji tringullimë zilje, nji krizëm porte të hapun, zhurmë e zâne në rruginë…

Vetëm n’at odë të huej. Hapat qi kalojshin edhe mâ të huej se ajo odë e cila nemòse njifte vëngjillet e tija mbi letra e mbi libra.

Të nxehtë. Flakroi larg vetes mbulojën. Pjanoforta kumbonte, në fund t’udhës, papushue. Nji grue foli do kohë prej nji dritorje kundruell me dikê poshtë në rrugë.
Kishte zjarrmí. Sigurisht ethe. U mbulue prap. I ra ziles qi varej në krye të shtratit.

E zoja e shtëpís erdhi e u çudit tue e pá rát n’at orë. Ai i a lexoi çudín në fytyrë. Lypi nji thermometër. Kur i a sollën edhe e vûni nên sqetull, i ra në mênd se herën e fundme qi pat ethe nâna e motrat rrijshin prânë tij, atje në shtëpí aq të largët.
E hoq: tridhetenandë e gjymsë.

-Ju lutem pak akull, zojë, për me i vû peca të ftofta krés.
U suell në brî të rrëmajtë e mbylli syt. Shtrati i tij.
Andej musandra, këtej dritorja prej kah shifej mandi në mjedis t’oborrit. Në fund tryeza e punës. Për brî soje libërtorja. Oda e tij. Atje. Edhe smundja përveshet me âmbëlsi depërtuese kur t’a shtron trupin n’odë t’ande e grumbullon rreth teje gjindt e shtëpís s’atë. Nâna, motrat.

Hapi syt. Drita mbas koltrinave të bardha bierte pak nga pak gjallnín. Hija po mbushte udhën. Mbrâmja avitej.
Pjanforta kish heshtun.
Ndrroi brî e me qepalla të mbylluna ndêi në prigjim.

Do kumbonë filluen me ra. Prej mbrâmjet, kur dielli prendon mbas Taraboshit, nëpër kopshte të Shkodrës, derdhet kânga e përmallëshme e kumbonve. Nga nji nga nji përkujtoi zânin e veçantë qi ka sejcila sosh.

Ajo e Fretënve me nji kumbim t’ultë e të fortë si luta e nji burri, ajo e Murgeshave me nji tingull t’argjantë e gazmuer si gjasërame hymnash latinishtje të dekadencës, ajo e Kishës së Madhe si thirrje atnore, e âmbël por qortuese pse âsht kumbona qi sa t’ushqehemi me frymë na kujton kohën rrëshqitse e detyrët e pakryeme e qi, të shkëputun prej shpirtit, tash na përsjell me zâ të qetë deri n’Ermaj.
-Qe, akulli.
Zâni i huej i a pezmatoi edhe mâ tepër dhimbën e krés.

Zoja e shtëpís i a lagu do peca, grîni akullin e, si e shtîni ndërmjet atyne, ia vndoi mbi ball e filloi me i a fërkue tâmthat.

Ah, nji cirkë ufulle drandofilesh do t’ia kish pushue at dhimbë! e bâme me ato drandofile qi çelshin para jerevís e mblidhte me kujdes gjyshja në çdo verë. Me pasë ndie tue u hapë aty n’odë, n’at odë të huej, âmsimin e atyne drandofilleve, ai do t’u shëndoshte menjiherë.

Âmsim i fortë e i âmbël, sdepërtuer, qi freskon gjakun kur flégurat e hundve tue u dridhun nuhasin gjatë e ândshëm, qi lecon e shutitë dhimbën e tâmthave kur gishta të dashtun t’i njomin me tê, qi ndiell gjumë erandëshëm kur të tânë oda eraton prej tij.
Ato duer qi i a fërkojshin ballin e i a ndrrojshin pecat e ftofta, s’dijshin me i a zbutë dhimbat.
-Nânë!

E shqyptoi me zâ të naltë emnin e dashtun? Grueja u përkul kah ai e pyeti plot kujdes:
-Deshironi gjâ?
Po, duert e nânës deshironte, pse vetëm ato mund të dijshin me gjetë dejt mâ të mshefun qi dhimbshin.

I u dukte se rrëzohet nëpër nji firmament të kuq. Binte prej nji reje së ndezun, poshtë, kulihum, në nji re tjetër edhe mâ të ndezun, poshtë, picingul, në nji firmament të verdhë. Duer të shpejta, të panjehuna ngrehshin shkalla në nji dritë të kuqe e të verdhë prej nji reje në tjetrën. Hyj të vogjel kalojshin, firmamenti i djegun zhari pikalasej me hyj, me nji morí hyjsh qi rridhshin si lum.

Shkalla ngreheshin prej duerve të panjehuna, e ai rrëzohej e rrëzohej pa ra kund.
-Pse bje ajo pjanofortë?
-Asnji pjanofortë s’a tue rá, zot i dashun.

Ai heshti do kohë. Mbandej prap:

-Sa mirë s’lodhen ato duer?
-Duert e mija, thoni?

Zoja e shtëpís, grue e shtyme në mot, e shikoi për seri.Ai mbante syt mbyllë. Po, ai dinte se ato duer në firmament flakues, ato duer fluturuese në tastjerë të largët, ato duer të hueja në ball e ndër tâmtha, dojshin m’e torturue. Ah, duert e nânës.

Ato shërojnë me nji të prekun sepse i njâjti gjak rrjedh n’ato gishta qi freskojnë e në tâmtha qi digjen; ai mish qi vuen qe dikuer nji me ato duer qi âmbëlsisht përpiqen me largue zjarrmín e tij.
E ato duer ishin larg.

Përgatiti: ObserverKult   

———————-

Lexo edhe:

ERNEST KOLIQI, THEMELUESI I PROZËS MODERNE SHQIPE

“Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) janë përmbledhjet me tregime, që Koliqin, e ngrenë në majën e krijimtarisë letrare në prozë, bashkë me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior e tjetri, i rrëfimit jugor.

Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi.

Studiuesi Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult