Ernest Koliqi: Letra të hapuna nji të riut letrar

Ernest Koliqi

Pikë ma s’pari Të falem nderit, lum miku djaloshar, për fjalë të njerëzishme ndaj personit t’im edhe për çmim ndaj veprës t’ime letrare, së dyti e ndiej veten të detyruem me të thanë se nuk asht aq pregaditja kulturore e theksueme mirsisht prej Teje qi mundet me të hy në punë sa përvoja prej meje fitue në pesëdhetë vjet të kalueme me pendë në dorë. Përbajnë, po, pregatiten qi i duhet nji shkrimtarit, njoftimet sa ma të shumta e të gjana në lamije të ditunis, por këto jesin të thata po nuk u këndellen nëpër grumbullim të mësimeve qi japin ngjarjet e jetës, marrëdhanjet me njerz, pjesëmarrja kuptuese me zemër e me mende të çelun në rrethanat ma të ndryshme shoqnore. Shkurt: ushtrimi i zejës së shkrimtarit, me vetëdije të ndritun e me qëllim ndertues, lypë dituni e përvojë të shkrime bashkë.
Pëlhura e jetës, endë me fije të bardha e të murrme, caktohet shpesh nga forca eprore, qi nganjëherë vullneti nuk mund ta pushtojë, porse njeriu, ndër të mira e ndër të këqija, duhet t’a mbajë drejtimin e caktuem. Murit me krye nuk i bihet, veçse shkrimtari i denjë për kët emn, mban në shpërthim duhish të rrebta, fillin e synimeve të paravume, edhe kur i kërcnohen rreziqe për qëndrimin qi merr.
Më duket se kapërcyeme përtej në vend qi me sqarue do pika paraprake.

Shkrimtari i vërtetë

Arti i shkrimit, atij qi e ushtron me ndërgjegje, i jep kënaqje të veçanta, por edhe i shkakton trazime e idhnime të mëdhaja. Shkrimtari del para botës me nji pajë vetjake përfitimesh e ndjenjash. Gjen lexuesa qi e kuptojnë: ma të shumtën e herve veç, po shfaqi haptas shka mendon e shka ndien, ndeshë në kundërshtime e nganjiherë në salvime të ndrejta a të tërthorta. Bota, përgjithësisht, ata qi largohen nga hullija e mendësis së rëndomtë e qi, për të mirë a për të keq, dallohen ndër të tjerët, i njehë prishësa të qetis mendore ku plogtija kredhë e zhytë. Shumica lypë prej shkrimtarit miratimin e sjelljes së përditëshme të rrnesës qi shtiellet mbi themel të rythmit të zakoneve të ndjekuna, pa asnji hijësinë dyshimi. Kush ngrihet me njomsue e kërthndezë jetën nëpër mjet nji frymëmarrje të re ma fisnike e frytdhanse ase me dlirë e përtri doke të ndryshkuna me afshin e nji përpjekjeje prirë kah zbulimi i bukuris qi mshefet në thellësi shpirtnore të njeriut e në mrekulli të dukunive të botës, ai mërzitë e i a prishë qejfin njerzis. Njerzija e shikjon shtrembët. Ai bahet shkak prozhmimesh t’idhta e përqeshjesh a talljesh mizore. Levdohen e duertrokiten përkundrazi ata prej shkrimtarëvet qi, tue ndjekë rrymbën e ideve të shumicës ase urdhnin e të fuqishëmvet, veshin e prarojnë me shkelqimin (qi lëshon farfuri kallpe) t’aftësis shprehëse mendime qi nuk i u përgjigjen ndiesive të tyne. Por këta, mbas mendjes s’eme, nuk janë shkrimtarë të vërtetë. E prandej t’i qesim n’anesh. Shkrimtari i vërtetë quhet ai qi ka dishka për të thanë edhe e ndien nevojën t’a thotë. Ndodhin rasa në të cilat për rrethana qi u shpëtojnë vullnetit e qellimit të shkrimtarit, ky shtrengohet me i paraqitë mendimet e veta nëpër nji tis a degermi parafytyrimesh mbas të cilit veçse ndritë përfitimi i njimendët i tij. Detyrohet të marri kët udhë kur para vetes shef të shtrueme vetëm nji mertisje fjalësh nëpër të cilat mendimi shfaqet urtisht , pa i përkulë dhunës e mujshis. Shkrimtari i vërtetë nuk e trathton kurr veten. Gjen mënyra si t’a ruejë personalitetin e vet.
Prandej, lum miku i ri, po e qite cekën m’u radhitë në çetën e shkrimtarëve të vërtetë, rrahe mirë përpara punën dhe shoshit rrjedhimet e udhës qi don të rrahish gjatë jetës s’ate. Prirje ke për sa u përket mjeteve shprehëse. Tashti duket qi të caktojsh si me i hollue e përsosë ato prirje. Por nji herë të shikojmë ku asht randësija e përmbajtjes. Trajta vjen mbrapa.

Përmbajtja e shkrimeve

Nji njeri quhet shkrimtar, në kuptim të njimendët të fjalës, kur ndien se vlon mbrenda tij dishka qi don të shpërthejë jashtë me anën e mjeteve shprehëse. (Edhe për artistat e artit figurative dhe muzikantët biseda rrjedh e njajtë: vetëm qi ata, në vend të gjuhës, përdorin ngjyrën, trajtimin në spikamë të landës a riliefin, ase tingullin).
Vrumulisë, në thellësit e qenies s’Ate nji përpushje ndiesish të pacaktueme qi lypin m’u shfaq në lumni të ndritëshme fjalësh e thanjesh? Të nxitë përmbrenda nji lakmi urdhënore me zbulue në vetvete pjesën ma bujare të brumit t’And njerzuer për naltësim shpirtnuer të vetvetes e të nejrzis? Të duket se lëvizin në gjak t’And lajmime të nënvetëdijes kolektive trashigue nga rropatja në jetë e gjyshave edh’e katragjyshave d.m.th. tharmet autoktone? Po i u përgjegje në mënyrë pohenike këtyne pyetjeve, atëherë mund t’a marrish udhën e vishtirë të letërsis. Porse, atëherë edhe, për të vleftësue sa ma mirë at përmbajtje qi ndien mbrena Teje, vjen radha e nji studimi të cenëshëm, durues e dashunues të mjeteve shprehëse, d.m.th. studimi i gjuhës qi ke zgjedhë me përdoë. Në rasën t’Ande, shqipja.

Studimi i gjuhës

Mundim i madh, lum dashamiri djaloshar i Zanave, njoftja e vetvetes, gërmimi me gjetë fundet e humus-it njerzuer në veten t’Ande, me arrijtë të ndëgjojsh në heshtin e shpirtit zanin e gjakut qi të rrjedh ndër dej. Por mundim shum i madh edhe arritja në zotnim të mjeshtris shprehëse d.m.th. n’aftësi me i a zbulue e kumtue botës së jashtme shka përmban Ti në vete, në palët ma t’imta e të panjoftuna të mbrendis s’Ate. Tepër e shkurtë jeta, xene besë, për nji studim të plotë të gjuhës shqipe. Lypen lexime e hulumtime me përkushti të parreshtun gjatë mbarë kalimit t’And mbi kët shekull. Ata qi e nisin veprimtarin si shkrimtarë me nji pregaditje të përciptë gjuhsore, duhen njehë si matrapaza të letërsis. Ti, e dij, nuk pranon kurrsesi të jesh shok me ta e synon me hy në numër t’atyne qi shofin në shkrimtarin nji apostull të qytetnis e nji prift të së Vërtetës e të Bukuris vezullore të jetës.
Mos e mendo të vobekët gjuhën t’onë si nji palë qi njofin aqë fjalë të shqipes sa mësuen në gjuj të nanës. Leksiku i shqips sot përmban ma se 50.000 fjalë. Të gjitha këto shënjohen sot ndër fjalorë edhe në disa glosarë të vum në fund të disa veprave. Shkrimtaret e vërtetë për krijesat e tyne artistike, tue përjashtue po deshtën fjalorët e Frank Bardhit (1635) me 5.000 fjalë, të Francesk Ross-it (1875) me 25.000 fjalë, të Kristoforidhit (1904) ne 12.000 fjalë, të Busettit (1911) me 20.000 fjalë, duhet të njofin pa tjetër fjalorët e “Bashkimit” (1908) me 11.000 fjalë, të Leotti-t (1937) me 30.000 fjalë, fjalorin e Dom Nikoll Gazullit me 5.000 fjalë të zgjedhuna. Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1954) me 25.000 fjalë. Por as këta fjalorë nuk përmbledhin krejt visarin gjuhsuer të shqipes. Ndër nëndialekte, ndër ligjërime të ndryshme arbreshe, ndër libra pak të njoftun shkrimtarësh të lanun mbas dore (si Bernandin Palaj, Ilo Mitkë Qafëzezi, Vasil Alarupi, Zef M.Harapi etj) gjinden fjalë të çmueshme thjesht shqipe qi presin të hyjnë në qarkullim. Fjalori i pabotuem i Karl Gurakuqit arrin në 50.000 fjalë, jo të çpikuna, por të përdoruna në popull.
Shkrimtarit të vërtetë, pajisë me begati mendimesh e ndienjash e me gjallni fantazije, i nevojitet nji sasi e madhe fjalësh për t’u shprehë ndër krijesa letrare, me plotni ngjyrimesh dhe tingëllim muzikuer. Ata qi trimnohen me i a hy artit të shkrimit me nji fjaluer të kufizuem, shpejt mërzisin. Ndoshta gjejnë për do kohë miratim në ndonji mendeplogët,. qi priton me lexue vepra ku përdoren ma shum se psqind fjalë, por shum shpejt humbin në pellg të harresës. Ardhëmënija asht e artistave të fjalës qi i a presin bukurisht veshen shprehëse të mendimeve të ndiesinave.
Mos u gënje nga slogani art dekadent, arti për art. Këtu flasim për vepra qi paraqesin nji përmbajtje të shëndoshë, fisnikuese të shpirtit, me nji bukuri shprehëse në naltësi t’asaj përmbajtjeje. Shkrimtarucat lakuriqsin e stylit të vet duen t’a shesin si meritë. Nji grue e bukur vërte na çmeritë me bukurinë e vet lakuriqe: por duhet veçse të jet e bukur. Nuk i zvoglohet, mund i shtohet bukurija tue e mbulue hijshëm me pëlhura të zgjedhuna e xhevahire. Përmbajtja e shkrimtarucave mburret me shëmbtim të përmbajtjes së veprave të tyne e me trajtë të shkarravitun mbarë e mbrapësht.
Bisedën duhet t’a sjellim te shkrimtari qi përdorë shqipen si vegël ushtruese t’artit të vet për të çelun shtigje të reja në letërsin t’onë.

Ndiesinat e fyshkëta

Fjala atdhedashuni si skaj shprehës po vjen tue u ba e gërditëshme. T’a dlirim ndiesin atdhedashunore nga dregëzat qi e përçudnojnë.
Mjerisht tepër shpesh e prej shum kuj patriotizmi (merret vesht qi flasim për ndiesina kallpe) përdoret si maskë me mbulue nji thatësi shpirtnore kur madje nuk shërben për të mshefë qëllime t’errta të cilat cenojnë në palc vëllaznimin kombtar. Ka asijsh qi, tue lidhë për qafë nji kravatë kuq-e-zi dhe tue vu në skjep të setres nji dalluese me shkabë dykrenare, i a mbushnin menden vetes (e orvaten të bindin edhe tjerët) se arrijtën në zenithe t’afshit patrjotik. E, tue zbritë në shesh të nji paradoksi qesharak, kujtojnë se nëpërmjet të kravatës e të dalluese lanë mbrapa në shkallë t’atdhedashunis gjind qi së mbarës së kombit i kushtuen mund therorzues e veprimtari plot fryt me vjet e vjet të shtyme. Mbaje mend shka të thotë një arsimtar me moshë, qi u përshkrue nëpër rrethana të gëzueshme e të trishtueshme të historis shqiptare në gjashtëdhjetvjetët e fundit e qi, ndoshta nga nji herë i u shmang padashtë vijës së ndrejtë të caktueme, por gjithmonë u përpoq për bujarsim të shpirtit shqiptar, mbrenda mundësive të veta, -mbaje mend shka po të them: don ma tepër Shqipnin nji njeri qi mban nji lilbër shqip mbi tryezë të vet se njiqind prej atyne të cilët mbushin raftin me kravata kuq-e-zi. Me vrimë, hallakatje e zgafullime nuk i shërbehet atdheut. Atdhdashunija e sinqertë tregohet me sjellje t’urta e vetëdije të detyrave njerzoe e kombtare dhe n’ushtrim të tyne në heshtje e pa mburrje. Rueju prej shkallabanit qi pontifikon mbarë e mbrapësh mbi atdhetarizëm të filanit e të fistekut, shan e lëvdon, ep çmime e lëshon dënime, tue u autoemnue gjikues e plak mbi tjerë, pa asnji patent a dishmi të vlershme qi t’ia ligjojnë ngarkimin vetvetes të nji zyrje së tillë.

Kombësi e njerzim

T’a vemë gishtin tashti në thalb të çashtjes.
Vërte punë tejet e tërhjekëshme ushtrimi i zejës së shkrimit në rrethin shqiptar. Gjindesh përpara nji bote virgjine, e shporueme nga lakmimi afshuer me njofte vetveten, nji bot qi pret e kërkon interpretat e hollë e të fuqishëm njiherit të vlerave të saja njerzore dhe ethnike. Përvoja e breznive të kalesës ruejtë në shkulma të gjakut nëpër rrjedhje të shekujve lypë nji vlerësim, vumja në spikamë t’ethos-it kombtar, pasuni e mysterëshme strukë në nënvetëdijen kolektive ku lëvizin thesaret e brumit të rodit arbnuer ngjeshë në maje t’historis, don të shfaqet nëpër mjet të shkrimtarit-lajmtar, -mishnimi i amshuem i vetive të kombit qi përtrihet prej etënvet nëpër bij e nipa ka nevojë m’u gdhenë lumnisht në vepra arti e letërsije.
Trunku i fisit ushqehet në langje mysterioze autoktone. Kalimi prej njanës brezni në tjetrën të gjallnis e të vërtytit gjallnues t’atyne langjeve përban traditën. E cila nuk asht, si pandehin mendeshkurtët, fosilizim i jetës së kombit. Tradicionalizmi dinamik i ep kombit nji arsye qenieje dhe nji arsye e nji të drejtë pjesëmarrjeje në valle të popujve të rrokullis toksore. Natyrisht vegimi (visioni) a vedrimi (contemplation) i problematikës së njeriut shqiptar, vehet nga shkrimtari i vërtetë në suazën e vegimit të përgjithshëm (universal) të qenies së Njerzimit.
Vlerat kombtare marrin kuptim të gjanë e të njimendët vetëm e vetëm ku përshkohen nga fryma universale e qenies dhe nga vrumulisjet shpirtnore t’egzigjencave moderne.

*Shkëputur nga libri i Ernest Koliqit: Kritikë dhe estetikë

Përgatiti: ObserverKult