Esad Mekuli: Unë nuk njoh lumni…

esad mekuli

Poezi nga Esad Mekuli

Unë nuk njoh lumni: shqetsimet në zemër m’lulzojnë.
Kam mbetë i vetëm-pa motër e pa vlla.
Jam fëmi i k’putun, n’horizonte t’tymnosuna ra,
ku shkrepin rrëfetë dhe n’humnerë t’fërfllojnē.

Jam bir i mjerimit, i lanun rrug’ve n’rravgime,
shok lypsash, bredhsash e i njerëzve n’mjerim.
Jam nxitja e përhershme në t’përhershmet rrëxime-
Shqetsim i përhershëm në t’përhershmin pësim.

Jam dhimbj’e t’vorfnit, pa bukë e n’ujë mbetë,
lot nane që mbi tryezën e shprazët lëshohet…
Jam mall i skllavit, në ndjekje për jetë,
që nën mështeknën- n’ajri naltësohet…

Jam vuejtja e t’shkelunve, mbytun në zi,
kushtrim në ngulje, që copton çdo pengesë:
– n’at uzdaj t’madhe, që çohet me fuqi
përmbi rrënime- unë jam nji grimë shpresë.

Jo, nuk njoh lumni: shqetsimet n’zemër m’lulzojnë.
Kam mbetë i vetëm- pa motër e pa vlla.
Jam fëmi i k’putun, n’horizonte t’tymnueme ra,
ku shkrepin rrëfetë dhe n’humnerë t’fërfllojnë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ESAD MEKULI: ANDRRA E VAJZËS

Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare
dhe agime t’kaltërta andrrova…

E nëpër kunorë lakmish për ‘limtare-
si lulja q’i jep qiellit lulzimin,
rinin ja dhurova.

Shkëlqyen yjet e qiellit si syt e tijë
të thellë dhe të ndritshëm
dhe u shafit nën te e kërthnezta fuqi…

-Sonte shushuritja e leht’e t’panjohtunit
më treti fare
dhe agimet e kaltërta andrrova.

(1933)

ObserverKult