Esenin përkthyer nga Kadare: Gjallë je, ti moj nënoçka ime?

sergej esenin tanjusha...

Sergej Esenin: Letër nënës

Gjallë je, ti moj nënoçka ime?
Gjallë jam edhe unë… të përshëndes
Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde deri në mëngjes.

Mora vesh se ti je merakosur
Atje larg për mua përsëri
Se ti shpesh del rrugës e brengosur
Mbështjellë me të vjetrin shall të zi.

Kur e kaltër mbrëmja bie pranë,
Të fanitet ty gjithmonë sikur
Diku mua larg në një mejhane
Një i dehur thikën po ma ngul.

Kot ti nënë rri me gjak të ngrirë
Ky nuk është veç vegim i zi
S’jam aq vagabond i pamëshirë
Sa të vdes pa të shikuar ty.

Unë i ëmbël jam prap si më parë
Ëndërroj kur fushat larg vërej
Që së shpejti nga këto mejhane
Në shtëpinë e vogël prap të kthej.

Do të kthej atëhere kur të mbushet
Kopshti ynë i bardhë me blerim
Vetëm ti si tetë vjet më parë
Mos më zgjo herët në agim.

Mos m’i zgjo ti ëndërrat që m’u zverdhën
Mos kujto atë që vate e shkoi…
Se në botë humbjet edhe lodhjet
Herët i provon nënë moj.

Mos mu lut t’i falem zotit prapë!
Tek e shkuara nuk ka më kthim
Vetëm ti je gazi im i vetëm
Ti e vetmja paqe e shpirtit tim.

Pra ti flaki brengat nëna ime
Mos u trishto për mua përsëri
Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe
Mbështjelle me të vjetrin shall të zi.

Përktheu Ismail Kadare

ObserverKult

—————————————-

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: S’TË KAM HARRUAR, JO E DASHUR!
ESENIN: NDOFTA DESHA UNË NË KËTË JETË…
SERGEJ ESENIN: TI KE MBETUR, MOJ ZEMËR, E VETME