Esenin: Qëndroj i vetëm në luginën e pa fund…

sa e bukur esenin qytetare

Foli korija vogëlushe e tha ca fjalë,
me zërin e mështeknës së gëzuar:
Lejlekët shkojnë e fluturojnë ngadalë,
pa lenë njeri të ndihet i trishtuar.-

Trishtim përse? Mbi botë si endacakë,
kalojmë dhe ikim, kthina mbetet bosh,
për sa humbasin, ka pëlhurë pa cak,
qefinprodhuesit? – me qejf i heqin osh!

Qëndroj i vetëm në luginën e pa fund,
rini plot gaz, tek ti mendjen e ktheva,
era lejlekët tutje, larg i shkund,
unë, për çka shkoi asnjë trishtim nuk ndjeva.

Asnjë trishtim për vitet që kam humbur!
Asnjë trishtim për jargavanët e venitur,
porsi rubin ndrin flaka kopshtit, e përhumbur,
por s’ ngroh dot zemrën, shpirtin e zhuritur.

Nuk do të digjen degët e Rjabinës,
bari do zverdhet por nuk do humbasë,
ashtu si pema që shkund gjethet tinës,
e shkund dhe unë trishtimin mbi një rasë.

Dhe nëse koha fshin gjithçka mes zhegut,
e në një tog pa vlerë i mbledh, më lart,
thoni: korija vogëlushe atje rrëzë bregut,
a nuk i tha të gjitha, thjeshtë dhe qartë?!

1924

Shqipëroi: Arqile Garo

LEXO EDHE: Sergej Esenin: Nuk do vij më!