Është vështirë ta shijosh vlerën artistike të një vepre, kur e di se autor i saj është një horr!

blerim latifi
Blerim Latifi

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë fjalën e tij për debatin që ka lindur pasi këngët e një këngëtare serbe janë dëgjuar në plazhet shqiptare.

Këngët e Cecas u dëgjuan në klub afër plazhit shqiptar, ndërkohë që këngëtari serb Goran Bregovic, që dikur bënte thirrje anti-shqiptare, do të jetë një nga të ftuarit special të këtij viti në Festën e Birrës në Korçë.

Latifi ka thënë se një ndër kompozitorët më të njohur gjerman nuk dëgjohet në Izrael shkaku i pikëpamjeve të tija anti-semite.

“Wagner është një ndër kompozitorët më të njohur në historinë botërore të muzikës, por muzika e tij joformalisht është e ndaluar në Izrael. Televizionet, radiot dhe mediumet tjera atje refuzojnë ta transmetojnë atë edhe pse një ligj formal për ndalimin e saj nuk ekziston. Arsyeja është se Wagner kishte pikëpamje të forta antisemite dhe muzika e tij ishte përdorur masivisht nga nazistët në funksion të ideologjisë tyre”, shkruan ai.

Ai thotë se arti dhe morali nuk janë aq lehtë të ndara nga njëra-tjetra, ndërkohë që shton se trajtimi i të kaluarës nga shqiptarët është larg atij trajtimi që i bëjnë izraelitët.

“Arti dhe morali nuk munden aq lehtë të trajtohen ndaras, siç mendojnë shumë njerëz. Sepse është vështirë ta shijosh vlerën artistike të një vepre, kur e di se autor i saj është një horr, i cili ka folur e shkruar gjëra të poshtra kundër popullit apo kulturës të cilës i përket ti. Por, nejse, ky është debat i randë për ne. Edhe ashtu ne jemi larg standardeve hebraike të trajtimit të së kaluarës”, përfundoi ai.