Esmeralda Shpata: E di që s’do lërë gurë pa lëvizur për të më zhdukur…

Esmeralda Shpata huaj

Nga Esmeralda Shpata

Atëherë, unë, isha një strall i vogël që më morën me shkelma dhe më çuan duke më gjuajtur deri në qendër të qytetit, te sheshi para Bashkisë. Deri në zgjedhjet e tjera zor se do t’më lëvizë njeri nga vendi.

Çdo mëngjes shoh një polic i cili ruan ndërtesën e restauruar me fondet që kaluan në Këshillin Bashkiak dy-tre vjet më parë. Ai kur nuk e sheh njeri, shkon te kioska në të majtë të sheshit, blen një sanduiç dhe e ha duke u mbytur.

Pasi lëpin buzët mirë e mirë zë e këndon “Leskovik, o gur i thatë, trima burrat, trime gratë.”

Përreth njerëzit bëjnë ecejake me hallet e tyre. Nga dera kryesore del kryetari, zakonisht shoqërohet nga një grup i vogël njerëzish të besuar, të cilët e mbajnë një distancë prej dy metrash me të. Unë shoh çdo gjë.

I ndjek me përpikmëri të gjitha lëvizjet e të gjitha ditëve, me gjithë këmbënguljen e njerëzve për të më shkelur e gjuajtur me këmbë diku më tutje.

Me vendosmëri gjendem në një cep të volitshëm për të parë më mirë, nga kjo pikëpamje e kam kokën gur. Qytetarët të entuziazmuar presin që i pari i godinës të nxjerrë ndonjë thesar nga mendja apo nga dyert e fshehta të Bashkisë. Asgjë nuk ka aty.

Një ditë sapo doli dielli, dolën të gjithë punëtorët jashtë, më saktë e gjithë administrata dhe shikonin me admirim sesi një çift qensh të ngatërruar me njëri-tjetrin as nuk u fshiheshin syve njerëzorë, të paktën deri te lulishtja që u bë me fonde të veçanta, jo më shumë se para një viti, e miratuar unanimisht njëzëri po nga ky këshill.

Nga të qeshurat u rrëshqitën gurët nga tëmthat, ec e gjeje ç’ka për të qeshur në atë çiftëzim qensh. Kjo që pashë nuk ka pse të vihet në dyshim, dhe kryetari e ka më mirë të marrë një gur e t’i bjerë kokës sesa të spekulojë mbi këtë ngjarje.

Unë nuk jam një rrasë varri, për besë i kam parë të gjitha seç ndodhin në këtë qendër administrative. Gazmendi për qentë nuk ndalte. E qeshura iu qep dhe mureve, gati sa nuk ra në tokë ndërtesa.

Për dreq kryetari më pa. Nga çudia ngriu në vend, u bë gur kur e pikasi që unë e pashë seç fshihte në zemër për gjindjen përballë.

As që i bëhet vonë fare për ta, merakun e ka me mua, si t’i gjejë këmbët që më sollën në qytet sepse pashë ç’bëhej me pushtetin. E di që s’do lërë gurë pa lëvizur për të më zhdukur si zallin në lumë.

*Titulli i origjinalit: “Një gur kokës”

ObserverKult


Esmeralda Shpata huaj

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: NUK DUA TË TAKOJ ASNJËRIN…

Nga Esmeralda Shpata

Nuk dua të takoj asnjërin. Kini mirësinë të mos më dilni para, se përndryshe; do t’ju jap dorën dhe do t’ju pyes për shëndetin, punët e jetën në përgjithësi.
Gruaja që më përshëndeti ishte Gaja. As nuk e mendoi ç’po kuturiste kjo mendja ime, m’u afrua dhe me një buzëqeshje në dukje të çiltër, filloi të më pyeste për shëndetin, punët e jetën në përgjithësi.

Për të ma lëshuar dorën m’u desh një copë herë përpëlitje mes pëllëmbës së saj, ca djersë të imta mes gishtave dhe së fundmi një dorëzim e lëshim muskujsh.

As nuk e vrau mendjen ç’po më ndodhte dhe si me fuqi të marra nga pëllëmba ime hapi gojën dhe me një ton të prerë më tha:

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

———

Esmeralda Shpata huaj

ESMERALDA SHPATA: TI E DI, MEZI MBIJETOVA NGA VDEKJA!

Nga Esmeralda Shpata

Dëgjomë!

Ti e di, po s’më lëndove unë nuk mund të të dua. Në qoftë se unë  nuk e ndiej gjëmën, si mund të të dua?! E mban mend kur më braktise, kur më le mes katër rrugëve për një nga ato të lëvizurat e vogla?! 

Sa shumë të desha atëherë, i përmbysi dashuria të gjitha rastet e tjera. Sa nuk u çmenda nga dhimbja. Ti e di, mezi mbijetova nga vdekja.

Kur e mora veten nga sëmundja dhe u bëra më mirë, shkova dhe mblodha të gjitha lulekuqet që kisha parë. Bleva ftesa dhe të përgatita funeralin. Ti erdhe i lemeritur nga çmenduria ime, më gjuajte mes gjindjes me këpucë.

E mban mend si ikën të gjithë të tmerruar?! 

Kur salloni u zbraz u pamë në sy dhe ia dhamë së qeshurës me të madhe. Më pas u përvodhëm  në heshtje  në  cepin më të errët të shtëpisë dhe u puthëm.

Ti vure muzikë dhe kërcyem tërë natën. Si iku koha! Në ag, sapo zbardhi dita, më përplase me dhunë në tokë sepse u kujtove ç’të kishte sjellë mbrëmë pranë meje.

Mund të martohemi, por do të ishte torturë të më sillje kafen, të paguaje faturat, të më prisje thonjtë e dorës së djathtë çdo të diel pasdite.

Sa herë ma thua që përgjegjësia ta shpif, ta bën shtrydhjen. Asnjë  s’mund t’i  shohë  plagosjet dhe therjet tona të brendshme, ato të thellat. Askush! Me ngazëllim hamendësojmë rastet ngjyrë qelibari.

Shiko ç’sajova!

Të të hedh helm e të ta heq  në çastin e fundit nga ushqimi. S’mund ta bëj se ma shpifin të vjellat. Po sikur një herë të vetme mos të ta heq helmin, gjoja e harrova pa dashje?!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObservrKult