
Nga Esmeralda Shpata
Ndodhem në një ëndërr. Jo në ëndrrën time.
Jam veshur me të bardha dhe po grindem me një grua të veshur po si unë. Ajo ka një çelës në dorë. Më tërheq për flokësh dhe më mbyll në një raft muri. Ngjan me musendrat që mbajnë erë tërfili të thatë. Rafti ku më kanë burgosur vjedh pak dritë ngjyrë vjollcë.
Iu luta të më shkonte një kryq mbi trup më mirë. E pashë në sytë e saj që donte t’më vriste. E nuhata se ajo po përgatitej. Nuk më kujtohet mirë si munda të shpëtoj.
Të dyja spekuluam në ëndrrën e tij.
Fytyrën e kam të butë, të bardhë si të larë me qumësht. Buzët më djegin nga puthjet e egra. Ai më mban për dore, më tërheq drejt vetes. Ajri është elektrizuar, në ëndërr ai mbaron.
Dua të dal nga ëndrra e tij, të kthehem në shtëpinë time.
Nuk më le të iki.
Ma shtrëngon dorën, sytë i ka të lagësht dhe më lutet. Ka përgatitur një kanistër të vogël me kuvertë të leshtë dhe më shtrin atje. Unë s’dua të jem një kotele. As ajo.
Nuk shmang dot as të qarat e saj. Mua nuk më kanë pëlqyer lidhjet e lehta. Gris një copë të fustanit tim të bardhë, ia fshij lotët. Më duket sikur ajo qan me lotët e mi. Duhet të bëhemi gati. Ëndrra ngazëlluese. Asnjëri nga ne nuk është mjaftueshëm mirënjohës.
Ja kështu!
Më duhet ta përqafoj dhe jashtë. Punën e kam më të vështirë sesa duket. Pres të zgjohet. Jam ngushtë në ëndrrën e tij. Do të mundohem të plotësohem.
ObserverKult
Lexo edhe:






