Fabio Pusterla: Ndoshta ti nuk e di…

Ndoshta ti nuk e di,
por shpesh zgjohem natën.
Qëndroj gjatë shtrirë në errësirë
dhe dëgjoj gjumin tënd,
si një qen buzë lumit të qetë
ku ngrihen hije, reflekse
dhe flutura të heshtura.
Natën flisje në gjumë
dhe ankoheshe për një mur shumë të lartë.
Muri ishte shumë i lartë
dhe nuk mund të hidheshe
për të parë detin e largët dhe rrëzëllitës,
që vetëm sytë e tu e kapnin.
Me shaka të pëshpërita në vesh
që muri nuk ishte shumë i lartë.
dhe mund ta kapërcenim.
Ti më pyete nëse poshtë murit
kishte rërë apo shkëmbinj të zinj.
Rërë- u përgjigja unë.
Dhe ndoshta në ëndrrën tënde
ne, u hodhëm nga muri.

Përktheu: Elona Caslli

*Titulli i origjinalit: “Rërë”

————————————————–

LEXO EDHE: ELONA CASLLI: E DIJA, VEÇSE SHPRESOJA KËTË HERË MOS TA BËJE…

Kështu fillonte gjithmonë fjalia jote të dielave- -A je për çaj?
Dukej se bota për ty ishte më e durueshme pas një çaji. Në koleksionin tënd të çajrave mund t’i gjeje të gjitha shijet. Të gjitha shijet ekzistuese të çajit i mësova nga ky koleksion.

Kutitë e çajit ishin të renditura me një rregull acarues që ta nënvizoja shpesh. T’i nënqeshje dhe mes nënqeshjes thoje- Kështu jam unë. Padurimisht i rregullt.

E teksa lëvizje nga kuzhina në dhomë, unë ndieja një kënaqësi të mbrapshtë të t’i bëja rrëmujë kutitë e çajit dhe me shpejtësi ulesha në karrige, sikur asgjë mos të kishte ndodhur.

Teksa riktheheshe në kuzhinë dhe shihje rregullin tënd acarues të bërë hi nga duart e mia thoje; E dija, veçse shpresoja këtë herë mos ta bëje.

Me buzëqeshjen tipike të dikujt që i gëzohet një mbrapshtie të thoja- Koleksioni yt duket si raft farmacie. Nëse do ta lija në rregull, do të më dukej sikur pija ilaçe e jo çaj. Veçse i zhvendosa pak…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU