Pyetësorit të Prustit i përgjigjet regjisori Fadil Hysaj.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturinë e kuptoj si diçka më shumë se gjendje kënaqësie. Është e drejtë sublime e të qenit njeri i përmbushur. E drejta në lumturi për mua është e drejta mbi të gjitha të drejtat tjera të njeriut. Është energjia e pashterrshme me të cilën lindim dhe nëse arrijmë me e përdorë atë për të qenë të lumtur ky rrezatim sublim që buron nga bërthama e qenies sonë do të përshkojë edhe të tjerët rreth nesh… Vetëm një njeri i lumtur mund t’i bëj të lumtur edhe të tjerët rreth vetes… Shumica e njerëzve shpenzojnë pjesën më të madhe të jetës për t’u ba dikushi në shoqëri, për t’u ba të pasur, të pushtetshëm e të fuqishëm, me besimin se duke qenë të tillë mund të arrijnë të bëhen të lumtur, por kurrë nuk e arrijnë lumturinë…
Cila është frika juaj më e madhe?
Përballja me situata kur ajo që mund të ndodhë nuk varet më nga vullneti, bindja dhe fuqia ime dhe kur, si në “Procesin” e Kafkës, dikush diku e ka mundësinë të vendosë për të ardhmen e jetës tande. Me frikë kjo konstantë mund të quhet druajtje. Frika është diçka që t’i shterron në çast energjitë, dhe të mposhtë ende pa fillu me ndërmarrë hapa mbrojtës kur ndjehesh i cënumë nga dikush. E ndrojtja ka ne vete kujdesin e sforcumë, përllogaritjen e hapave, ndjesinë e pasigurisë… Ndërsa frika dhe dhimbja janë rrënuese. Ato e përshkojnë tërë qenien tonë dhe na bajnë të humbim drejtpeshimin. Aristoteli e ka zbulu kurën kundër frikës dhe dhimbjes përmes teatrit ku duke u parballë me situata tragjike të personazheve tragjike që na përfaqësojnë ne imunizohemi nga frika dhe që përballja me situata të njejta, pastaj në jetë të kemi mundësi më lehtë ta përballojmë frikën dhe dhimbjen…
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ata që i kam admirue nuk janë më të gjallë. Por e admiroj shumë Vudi Alenin për kandvështrimin tepër kreativ që i bën jetës në filmat e tij. Është një vigan i brishtë i denjë për adhurim.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Lekë Dukagjini. Nëse Skënderbeu ka krijue besimin te shqiptarët se mund të luftohet për liri dhe të fitohet liria, Lekë Dukagjini ka krijue kodin etik të sjelljes pa të cilin nuk mund të ketë një komb të denjë për jetë në liri… Dhe konsideroj se falë kulturës kanunore të trashëgume nga Lekë Dukagjini populli ynë jetoi shpirtnisht i lirë 500 vjet. Me ardhjen e komunizmit u përmbys ai identitet dhe përfundimisht u zhduk nga kozmopolitizmi vullgar i pasluftës e nacionalizmi romantik gjithkombëtar, i cili u zhba në parulla boshe pa na ofru asnjëherë ndonjë model identifikues mbi të cilin do të ndërtonin identitetin tonë nacional si komb.… Skënderbeun e ngritëm mbi re deri në përmasat legjendare ndërsa Lekë Dukagjinin e braktisëm se nuk ishim të denjë t’i përmbahemi kodeksit etik të doktrinës se tij…
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Që marrë përsipër shumë punë dhe shumë prej tyne mbesin t’i kryej në ditën e fundit e kjo më mbush me stres.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dembelinë dhe mendjemadhësinë. Asgjë më të shëmtume nuk ka kur takon një njeri që krekoset me atë që ka ba vite e decenje të mëhershme e shkaku që ka kohë të pafundme se s’punon gjë, tanë kohen folë për atë që ka ba dhe atë që do të bëj…
Në cilat gjëra e teproni?
Kur gjatë debatit mundohem me bindë tjerët që kam të drejtë për atë që flas. Njerëzit duhet me i lanë në bindjet e tyre edhe kur nuk kanë argumente për to… E drejta me pasë të drejtë edhe kur je gabim është një e drejtë që s’ban me ju cenue askujt …
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Kur s’me mbetet rrugëdalje tjetër, dhe kur e vërteta e damton atë të cilit i thuhet e vërteta.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Kur largohem nga Prishtina dhe shkoj lart në Kukaj.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Mendoj se … Nuk jam i sigurt se… Megjithatë…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që kam humbë shumë kohë me njerëz për të cilët kam ba shumë dhe e meqë ata s’kanë pasë mundësi të bëjnë të njëjtën ndaj meje kjo si pasojë ka sjellë në relacione të pabalansume dhe si pasojë i ka ba ata me u ndi borxhli e kjo ndjenje nuk ashtë e mirë …
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Fëmijët e mi nga dy martesat, mbesat dhe nipat, publiku i shfaqjeve të mia të cilit i kam dhanë ndjesitë me të thella të jetës sime dhe studentët të cilët edhe pas shume vitesh i takoj ende e të cilët si trajtoj si studentë.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Mbiangarkesë me shumë punë, pa kohë ta mjaftueshme relaksi. Shumë shpesh më duhet t’ia marrë vetes edhe kohën e pushimit të natës. Sigurisht se kjo nuk është e shëndetshme. Me qenë mendërisht normal, në një kohë abnormale në të gjitha aspektet, kjo nuk është e lehtë.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të çmoj më shumë kohën si vlerën më të çmueshme të jetës dhe duke e trajtu si të tillë me e dijtë si, dhe me kënd me e shpenzue. Është paradoksale kjo, por kohën ta marrin më së shumti njerëzit të cilët e kanë atë me bollëk dhe kur largohesh prej tyne ndihesh një humbës i madh. Do të kisha ble kohë nga ata që e kanë atë me bollëk, por kjo nuk është e mundur …
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Gjysmë shekulli punë në teater, edukimin e disa brezave shumë të mirë të regjisorëve dhe aktorëve dhe krijimin e etnofshatit në Kukaj me të gjitha aktivitetet kulturore që i zhvillojmë atje.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do të kisha humbë shumë kohë me njerëz më të cilët nuk kam pasë çka me shkëmby.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Një qenie fluturuese.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Takti në komunikim me njerëz. Pranimi i tyne ashtu si janë me virtytet dhe veset e tyne. Dëgjimi me vëmendje i tjetrit edhe kur nuk jam dakord me mendimet e tij. Heqja dorë nga bindjet e mia nëse tjetri ka argumente më shumë në qasjen e kundërt…
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Shtirjen … Shfaqjen në publik me një model të papërvetesum të sjelljes që njerëzit sidomos kur vishen me pak pushtet i bën të duken grotesk në mënyrën e sjelljes, shpesh edhe qesharak dhe të mjerë në pasigurinë e tyre si aktorët diletantë kur dalin në skenë pa e përvetësu si duhet tekstin.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend ku mund të kem relacion miqësor me tokën, qiellin, diellin, drutë, pemët, kafshët, zogjtë dhe njerëzit. Pakashumë këtë vend e kam gjetë në Kukaj. Është një oazë parajsore ku mund t’i gjejsh të gjitha që të mungojnë.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Durimi dhe këmbëngultësia.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Modestinë dhe gatishmërinë me ndërru mendim nëse tjetri të ofron argumente që e drejta është në anën e tij. E vlerësoj më shumë aftësinë e tjetrit me e dëgju se sa më folë pa mendu. Dhe me heshtë nëse nuk ka diçka të rëndësishme me thanë. Heshtja është koha e domosdoshme e krijimit të një mendimi. Burrat tradicional kan dijtë me ndëgju, me heshtë dhe me reflektu para se me folë… E burrat e sojit të cilin na e servuan mediat televizive janë të kundërt me ata që kishim dikur. Burrat e mençur që dijnë me dëgju, me mendu dhe me folë kur e lyp vendi e kuvendi u zavendësuan me do krijesa të neveritshme që ulurisin në emër të lirsë së fjalës dhe tash e sa kohë mundohem të ruaj higjienen time mentale tuj mos i dëgju më shumë se 5 minuta atë që përpiqen me thanë e që nuk arrijnë asnjëherë ta artikulojnë deri në fund.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Të qenit grua me hirësitë sublime të një femre… Kur Zoti vendosi të krijojë njërëzimin krijoi Evën që përmes saj të popullojë planetin me krijesën e Tij … Hyjnorja krijuese ekziston te femra. Një botë e sunduar nga gratë me hire femërore (jo amazonë mashkullore) do të ishte bota në të cilën njerëzit mund të ishin të lumtur.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Franc Kafka
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që kanë guximin e duhur të hyjnë në beteja kur besojnë se kanë gjasa të fitojnë, që kanë durim dhe guxim të përballen me situate të rënda dhe në fund të dijnë të dalin fitimtarë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Ta njihja më mirë matematikën. Do të kisha kuptu më mirë relacionet mes kohës dhe hapësirës…
Si do të dëshironit të vdisnit?
Pa frikë nga ajo që vjen përtej jetës…
Cila është motoja juaj?
Me e kuptu cili është pasioni ynë jetësor dhe me vepru me durim e guxim deri në përmbushjen e atij pasioni…
ObserverKult
Lexo edhe: