Visar Zhiti: Duroj ca si tepër…

Visar ZHITI

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Visar Zhiti.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

-Nuk kam ndonjë ide. Nëse ka lumturi të përkryer është dashuria dhe puna që do.

Cila është frika juaj më madhe? ​​​​​​​​

– Vetë frika.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Krishtin. Ai është gjallë dhe e shohim kudo ku njeriu vuan…

Cili është personi historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

​- Me asnjërin. Adhuroj Gjergj Kastrioti- Skënderbeun. Me atë identifikohen shqiptarët më së miri, besoj.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?

​- S’e di. Besoj s’është një. Duroj ca si tepër…

Cili është tipari që nuk pëlqeni tek të tjerët?

​- Janë ende më shumë. Hipokrizia. Shtirja. Kozmopolitizmi.

Në cilat gjëra e teproni?

​- Me dëshpërimin, mbase, po pa atë s’do të ish unë.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

​- E vërteta.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

​- Dikur kisha thënë ai brenda vetes, tani them ai jashtë vetes.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

​- Tani që jam jashtë atdheut: sorry, how are you?

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

​- Pendohem rrallë, por kujtoj një varg të poetit të madh amerikan Walt Whitman: ka dashuri që nuk kthehen…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

​- Eda, ime shoqe, mama e tim biri, Atjonit.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

​- Si dje, s’ka asnjë përmirësim.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetja, cila do të ishte ajo?

​- Tek vetja jo, tek fati po.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj me të madhe?

​- Poezinë në ferr.

Nëse do të mund të kthenit kokën, çfarë do të ndryshonit?

​- Jam i pafuqishëm.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësi të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

​- Dikur kisha thënë “kalë”, tani nuk dua të kthehem.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?

​- Asgjë. Është shumë e shtrenjtë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

​- Mjerimi është shumë i madh.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Besoj se më mirë është atje ku të duan.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Që s’do përsëritem.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

-Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

-Amësinë.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

– Në mosha dhe kohë të ndryshme kam patur shkrimtarë të ndryshëm. Tani kam vepra.

Cilët janë heronjte tuaj në jetën e vërtetë?

-E thashë: Krishti, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, tani dhe shenjten Nënë Tereza. E përsëris, besoj janë në jetën e vërtetë.

Cilin talent do të dëshironit të kishit?

– I dua këngëtarët.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Unë e di se kam vdekur, përndryshe është punë e vdekjes, vendos ajo.

Cila është motoja Juaj?

-“Bëji tjetrit atë që do të doje të ta bënin ty.”

ObserverKult


Lexo edhe:

SHAHU: NUK E KAM LËNË VETEN PENG ASKUND – MË UDHËHEQ FEJA E DASHURISË…