Fahredin Gunga: Përshëndetja e vetme

Nuk është vonë
t’i thuash vetvetes: Këngë,

(nuk është vonë)
t’i thuash vetvetes: Mallkim

(Nuk është vonë)

Nuk është vonë
t’i thuash vetvetes: Sharje

(Nuk është vonë kurrë
vetvetes emrin e mbiemrin t’ia ndërrosh).

———————————–

LEXO EDHE: BUQETË POETIKE NGA FAHREDIN GUNGA: DIKUSH VUAN PËR BUKË E DIKUSH PËR DASHURI…

Rënkimi

Tokë, qaj. Tokë, rënko. Tokë gjëmo si egërsira-
se mbrëmë ka vdekur një fshatar i fshatit tim,
me duar të çara e fytyrë të vrarë nga lia
dhe me rininë e humbur në brazdat e jetës…

Kanë për ta çuar mbi katër krahë.
Kanë për ta çuar mbi katër zemra.
Kanë për ta çuar mbi katër dëshira,
si ai – vetë kur i ka bajtur
kur vetë i ka rritur
n’ara t’bleruara

E, ai – mbrëmë ka vdekur…

Tokë, qaj. Tokë, rënko. Tokë, gjëmo si egërsira-
se sot në krahrorin tënd do ta shtrëngosh
një fshatar të ri të fshatit tim.

O, ai kurrë nuk të ka ndarë prej zemrës,
– një zemër e heshtur
ate – që në pranverë ka qenë i etshëm për blerimin tënd,
ate – që në verë të ka ledhatuar plot dashuri
ate – prej së cilës i kanë gufuar
urimet për ty:
– të falem o Dhé,
– të falem o Dhé!

E, ai mbrëmë ka vdekur.

O, apo e ndien damarin e lutjes?
O, a po e ndien tingullin e ofshës së lodhur?
O, apo e ndien vajin e dëshirave
që po veniten pa frymë?…

Mbrëmë ka vdekur një fshatar i fshatit tim,
të cilin do ta varrosin me lotin e vreshtës
që kullon, i kristaltë, nga hardhia e pikllimit,

si sytë,

me blerimin e drithit dhe lulet e pranverës
që blerohen si dëshirat rinore…

…dy sy, t’etshëm për të,
kot e kërkojnë nëpër ara,
dhe të lodhur pikojnë –
mallë…

POEZITË TJERA TË FAHREDIN GUNGËS MUND T’i LEXONI DUKE KLIKUAR KËTU