Ikja e nanës, poezi nga Jozef Radi

Ikja e Nanës
Jozef Radi

S’po di duert ku me i vendosë
as sytë s’po di ku me i ndalë!
Shpirti yt çarçaf i bardhë
n’qiell të k’tij Marsi
ndër gëzhoja kallashnikovi varë.

Fjalët e tua
mbi krahë zogjsh mbetë,
dhimbja jote zbathë vrapon qiejsh
e s’ndalet as ndër baraka
te mbytuna lotësh,
as ndër brraka kohnash t’liga

Nyje në shpirt, o nanë
kjo lamtumirë e beftë!

Ike si engjujt ikin
si bora bahet kaltërsi u bane,
humbe nëpër kët t’vrazhdë marsi,
e s’di mos je mshehë mbas ndoj fije bari;
a mos kputë ndoj lule vjollce kund,
mos n’sqep të ndoj sythi je futë
o ndjek me petka nate kometën
m’u rishfaqë mbas njiqind vjetësh?

S’po di asgja!
Di vetëm se mbeta pa ty o drita ime,
o dhimbja ime, kurrë e shkrueme!
Mbeta pa ty o vuejtje e vuejtjeve
pa ty o shenjtorja e mërgimeve të mia.

Mbeta pa ty o Nanë,
e s’po di ku me i vu as duert, as fjalët,
as dhimbjet… e as sytë
s’po di ku me i ndalë…

mars 1997

ObserverKult

Lexo edhe poezi tjera nga autorë të tjerë shqiptarë kushtuar Nanës:

Sabri Hamiti: Fytyra e nanës

Si ta kem Fytyrën e Nanës
Kur ajo vjen mbasi bie terri
E ma vjedh gjumin prej syve?

Kërkon t’i veshi pantollat e fëmijnisë
T’ia them këngës për dhëmbin e syrit
Ta qes plisin në një sy.
Në gojë përshëndetja: udha e mbarë!

Për ta lexuar poezinë e plotë kliko KETU

Lexo edhe:

Sibel Halimi: Me e dashtë lirinë e Nanës

Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tu e ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja
Është veç ajo, liria e saj

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObseverKult