Poezi nga Fan S.Noli
Fryn e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.
Krishtin brenda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.
S’del askush që t’a shpëtonjë,
Roma do t’a kryqëzonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.
Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mi mangallin;
Kur e pa, u-koll këndezi
Nga qymezi.
Dhe një shërbëtore i tha:
-“Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.
Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet ;
Seç’ këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“S’ka e s’ka si heroizma ,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri,”
-“Nga ata je!”-thot’ ajo,
E mohon Shën Pjetri:-“Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!”
Kuspull mi mangallin mblidhet
Po djek mjekrën dhe përdridhet ;
Seç’ këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“Shkab’ e shkëmb me poz’ e fjalë,
Seç’ na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje.”
Thot’ ajo:-“Je , mos gënje!”
Pjetri e mohon me be :
-“Jo, për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”
Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Seç këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
-“Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.”
Seç’ e dogje, seç’ e fike,
Gjel me gjëmb’ e këng’ armike,
Dhe ndërgjegjen seç’ ia çpove,
Seç’ ia zgjove.
Seç’ vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her’ e mohoj pa gdhirë,
Faqe nxirë.
(Shkëputur nga libri i Fan S.Nolit ‘Vepra I Albumi II. botuar nga ” Dudaj”)
Përgatiti: ObserverKult
——
Lexo edhe:
SKËNDER RUSI: NUK DI PSE TY, AJO, AQ SHUMË TË NGJANTE…
Poezi nga Skënder Rusi
I bëja natës ftesë, për një kafe,
Se më pëlqente,
por edhe më duhej!
Në ora një, kur gjumi sytë hapte,
Përballë meje, ajo vinte, ulej!
Vetëm flokët i kishte prej nate,
Se trupi, krejt, asaj i farfurinte!
Sa herë e prekja, për çudi, me zjarrthe,
Më mbushej prej asaj dhe dora ime!
Nuk di pse ty, ajo, aq shumë të ngjante,
Ty, që prej meje, tashmë, ishe e ikur!
Ajo si ti lexonte dhe filxhanet,
Si ti, me gjarpërinj, më shihte lidhur!
Dhe veç kur dita ishte shumë afër,
Ikte prej meje, ikte, zhdukej fare!
Unë s’di të ngrihem
si somnambul, natën,
Por di që ende kam, në duar zjarre!
Dhe e di mirë që ende s’kam lajthitur,
Si mund të flas me netët
që shpirt s’kanë?!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult