Mihai Eminesku: Vetëm ti më s’më shfaqesh…

Po në të njëjtën rrugicë
hëna rreh nëpër dritare,
vetëm ti pas hekurash
më s’më shfaqesh, vajzë, fare!

Edhe po të njëjtat pemë
çelin lule e zgjasin degë,
vetëm ditët që na shkuan
nuk na kthehen më në jetë.

S’të rreh zemra si aherë,
atë zjarr sytë s’të kanë,
vetëm unë ai mbeta,
bredh gjithnjë këtej, mënjanë.

Sa e hijshme dhe e brishtë
ti më vije lehtë-lehtë
edhe shfaqeshe mes hijesh,
që hedh pylli tatëpjetë!

Dhe më bije përmbi gji,
s’dinim më ç’bëhej në botë,
flisnim për kaq e kaq gjëra
heshtas e me zemrën plot.

Në këtë dehje të ëmbël,
që ishte një gjë s’e dija:
si t’ia besosh fjalën gruas,
si të mbështetesh te hija!

I gufon kjo erë perdet
si aherë dhe tani,
vetëm ti pas tyre s’dukesh,
vajzë e dashur, përsëri!

1879

Përktheu: Perikli Jorgoni

ObserverKult

————————————————————

Lexo edhe:

ORHAN PAMUK: DASHURIA ËSHTË DHIMBJE… DASHURIA ËSHTË LOT…