Farough Farrokhzad: Shkuan ato ditë…

Farough Farrokhzad

Poezia “Ato ditë” nga Farough Farrokhzad


Shkuan ato ditë të bukura,
ato ditë të freskëta dhe të
shëndetshme,
ata qiej mbushur rrafsh
me rruaza,
ato degë rënduar
me qershi,
ato shtëpi mbështetur
njëra krah tjetrës
në të blertën strehëz të
dredhëzës,
ato qiellzana me balonat lozonjare,
ato rrugë dehur në aromë
jaseminësh.

Shkuan ato ditë,
kur përmes një çarjeje në
qepallat e mia,
gurgullonin këngët
si flluska plot ajër,
vështrimi im pinte me
hurba gjithçka pikaste
siç pihet qumështi i freskët,
si të jetonte mes bebeve
të syrit tim një lepur i çmeritur,
ende i lumtur,
dhe në mëngjes,
bashkë me diellin plak,
të zbriste fushave
të panjohura të kureshtjes
dhe netëve të përvidhej korijeve të errësirës.

Shkuan ato ditë bore dhe qetësie,
ndërsa pas dritares,
në vakësinë e dhomës,
rrija mosbesuese duke
parë dëborën time të pafaj
tek binte ngadalë si push
i butë dhe i freskët
mbi të vjetrën shkallë
të drunjtë,
mbi telin e hollë të rrobave,
mbi flokët e pishave antike
dhe mendoja për nesër
ah, e nesërmja,
një grumbull i bardhë shqasës!

E nesërmja fillonte me shushurimën e velit të gjyshes
dhe hijen e saj të hutuar
në pragun e derës,
që në grimëkohë
braktiste veten në ndijën
e ftohtë të dritës,
në gjurmët e rrëmujshme të pëllumbave,
në fluturim përmes xhameve shumëngjyrësh
nesër…

Përgjumur nga ngrohtësia
e sobës,
larg syve vigjilentë të nënës sime,
fshija shpejt dhe guximshëm
nënshkrimin e mësueses
nga detyrat e vjetra.

Kur bora mehej,
endesha zemërthyer nëpër kopshtin tonë
dhe varrosja harabelat e mi të vdekur
nën jaseminët e tharë dhe të zhveshur.

Shkuan ato ditë,
ditë magjepsjeje dhe mahie,
ato ditë përgjumjeje dhe zgjimi,
ku çdo hije fshihte një sekret,
çdo peshtaf mbulonte një thesar,
çdo cep i qilarit,
në qetësinë e mesditës
ishte një univers,
dhe kush nuk kishte frikë
nga ajo errësirë
dukej si hero.

Shkuan ato ditë feste,
pritjesh dielli e pritje lulesh,
fërgëllimash erëmuese
në tufat e ndrojtura të narcisisëve të egër,
që përshëndetnin qytetin
në mëngjesin e fundit
të dimrit
dhe zëri i shitësve shëtitës
përgjatë rruginave me arna
të blerta.

Tregu notonte në aroma endacake,
aromën e athët të peshkut
dhe kafes,
tregu, nën hapat e njerëzve,
shtrihej, zgjerohej dhe përzihej
me çdo çast të udhëtimit dhe rrokullisej thellë në
sytë e kukullave,
tregu ishte nëna ime,
që shkonte nxitimthi
drejt gjithë asaj që
ngjyronte rrjedhshëm
e kthehej me shportat mbushur dhe dhurata të paketuara,
tregu ishte shiu që binte,
binte, binte.

Shkuan ato ditë
mahnitjeje të fshehtësive
të trupit,
ato ditë njohjesh të ndrojtura të bukurisë së venave blu të një dore,
që, teksa mbante një lule,
thërriste pas murit një tjetër dorë,
ditët e njollëzave të bojës në duart e frikësuara,
të hutuara dhe drithëruese,
atëherë kur dashuria
zbulonte veten në një
përshëndetje të ndrojtur.

Midis tymit dhe nxehtësisë
së mesditës,
do këndonim për dashurinë tonë,
në pluhur
do e njihnim gjuhën e dëlirë të luleradhiqes,
do mbartnim zemrat tona
në kopshtin e butësisë
së çiltër
dhe do t’ua huazonin pemëve.
E topi, ngarkuar me mesazhe dashurie,
kalonte dorë më dorë,
ishte dashuri
ajo ndjesi pështjelluese
në errësirën e tremes,
që befas rrethonim
dhe rrëmbenim
mes frymimeve dhe regëtimave të zjarrta
të zemrës,
mes buzëqeshjesh të vjedhura.

Shkuan ato ditë,
si bimët tharë në vapë,
u dogjën nën rrezet e diellit,
humbën ato rrugë dehur
me aromën e akacieve
në shtjellën e zhurmshme të një rruge pa kthim,
dhe vajza që ngjyroste
faqkat me petale mëllage,
sot, është një grua e vetmuar,
qyqe vetëm.


Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

CATHLEEN SCHINE: LETËR DASHURIE…