Faruk Tasholli: Protesta e hajnave

(Poezi satirike)

Kafeneve hajnat e çojnë zanin sert:
Pse me respekt flitet për njerëzit në shtet?
Ndërsa neve kush, kurrë nuk na ban nderë
Pos na thonë pas shpinës: hajna ordinerë!

Na vërtet vjedhim se s’kemi punë tjetër
Por me pak ngihemi, nuk i grahim tepër,
Marrim e çka s’marrim ku e gjejmë ma butë
Ma në fund fëmijët kujt s’ia lamë pa bukë!

Për me vjedh o popull na shtyn ekzistenca
Ta dini se n‘hajni asht rrit konkurenca,
Rrallë i mbushim xhepat e ma rrallë arkat
Veç nji herë në vit na bjen m’i thy bankat!!!

Bam, i bijmë nji banke, jep alarmin shteti
Merr turr policia, bllokohet qyteti,
Ndërsa n’qeveri kur vidhet me laps
Askund s’ndihet zhurma, askush s’i bie pas!

Jo sa m’i mbush xhepat si në hajnitë tona
Aty „clik“ kompjuterit – vidhen miliona,
Dhe kur i del zani qysh me fshi or mik
Mbulohet hajnia me skandal politik!

Dhe politikanët që na bajnë konkurentin
Ia nisin prej votave kalojnë vjedhin shtetin,
E ju o populli ynë a s’keni hiq sy
Neve na thoni hajna e atyne zotni!

M’i ru’jtë politikanët merr rrogë policia
Ku lulëzon korrupcioni, ku flakë shkon hajnia,
Ndërsa si na thonë, na hajnat ordinarë
Mezi vjedhim natën e kush s’na ban nderë!

Tash na thuej me za o populli ynë e meçëm
Jemi na apo ata hajna ma të ndershëm?!
Neve kush s’na zgjodhi, t’vegjël mbetëm k‘tu
Hajnat drejt pushtetit vetë i zgjodhët ju!