Poezi nga Fatmir R. Gjata
Ca pëllumba fluturojnë nëpër shesh me gugërimë
Dhe të ulen përmbi supe, mos ki dert o Zoti im
Është kohë paqeje mes nesh ndoshta është kohë e rrallë
Nuk ka luftra nëpër troje dhe në shekuj mbetëm gjallë.
Dhe me turqit jemi miq, jemi bërë dhe muslimanë
Nuk janë më ata të parë që na shpunë në kasaphanë
Siç e sheh nëpër Tiranë gratë s’kanë perç’e ferexhe
Shkojnë të gjithë pas parasë ajo është e vetmja fe.
Mos gjyko imzot nga lart, bën aq ftohtë në bronx të zi
Po këndon dhe muezini nga xhami aty përbri
Rrotullohen ca pëllumba, shkojnë nëpër heronj të tjerë
Poshtë tek këmbët ca zhelanë po këndojnë e nxjerrin vrer.
Këtej vijnë edhe thërrasin, sot është dita për protestë
Anës tjetër po bërtasin vetëm ti mbete në mes
Për atdhe të gjithë betohen por atdheu është sëmurë
Nuk e vrasin njeri-tjetrin, fshehin dorë e hedhin gurë.
Lër të flenë mbi kalin tënd gjithë pëllumbat në qytet
Të bëjnë hije në ditë vere, të çuditur krahëlehtë
Mos na shih me aq mëshirë kur po ikim nëpër botë
S’ka më shqipe lart në qiell, plot pëllumba është, imzot.
ObserverKult
Lexo edhe: