Fernando Pessoa: Me imazhin e saj para syve

fernando pessoa sami hajra

Poezi nga Fernando Pessoa

Me imazhin e saj para syve, e kam kaluar gjithë natën pa fjetë,
duke e menduar ndryshe nga ç’është në të vërtetë.
Ndërtoj mendime me pamjet e saj teksa më flet
dhe në çdo mendim ajo ndryshon siç do vetë.
Të dashurosh do të thotë të mendosh.
Dhe unë duke menduar për të, veten e harroj.
Nuk e di mirë se çka dua prej saj, dhe s’bëj tjetër veç e mendoj.
Gati sa nuk më del zemra vendit
kur dua ta takoj,
aq sa preferoj mos ta shoh më,
pasi mendoj që më vonë duhet ta lë.
Nuk e di mirë dhe as që dua ta di se çka dua.
Veç nga ajo mendjen s’dua ta largoj.
Asgjë s’i lyp askujt, bile as asaj, veç më lini të mendoj.

Përktheu: Orjela Stafasani

ObserverKult

Lexo edhe:

Fernando Pessoa

FERNANDO PESSOA: LETRAT E DASHURISË

Të gjitha letrat e dashurisë
Janë qesharake.
Nuk do të kishin qenë dashurie, po të mos ishin
Qesharake.

Edhe unë kam shkruar në vaktin tim letra dashurie,
Dhe ato ishin, si të gjithë të tjerëve,
Qesharake.

Letrat e dashurisë, nëse dashuron,
Duhet të jenë
Qesharake.

Mirëpo, në thelb,
Vetëm njerëzit,
Që nuk kanë shkruar kurrë letra dashurie,
Janë menjëmend
Qesharakë.

A mos do të më ishin përgjigjur vallë
Në ato kohëra, kur unë ende i shkruaja ato,
Me letra, të cilat do të kishin qenë gjithashtu
Qesharake?

Me thënë të drejtën, sot,
Siç e kujtoj,
Letrat e mia të dashurisë
Kanë qenë qesharake.

(Të gjitha fjalët e jashtëzakonshme,
Ashtu si të gjitha ndjenjat e jashtëzakonshme,
Janë, vetvetiu kuptohet,
Qesharake).

Përktheu: Agron Tufa

ObserverKult