Fernando Pessoa: Me imazhin e saj para syve

Me imazhin e saj para syve, e kam kaluar gjithë natën pa fjetë,
duke e menduar ndryshe nga ç’është në të vërtetë.
Ndërtoj mendime me pamjet e saj teksa më flet
dhe në çdo mendim ajo ndryshon siç do vetë.
Të dashurosh do të thotë të mendosh.
Dhe unë duke menduar për të, veten e harroj.
Nuk e di mirë se çka dua prej saj, dhe s’bëj tjetër veç e mendoj.
Gati sa nuk më del zemra vendit
kur dua ta takoj,
aq sa preferoj mos ta shoh më,
pasi mendoj që më vonë duhet ta lë.
Nuk e di mirë dhe as që dua ta di se çka dua.
Veç nga ajo mendjen s’dua ta largoj.
Asgjë s’i lyp askujt, bile as asaj, veç më lini të mendoj.

Përktheu: Orjela Stafasani