Nga Tim Harford
Ne i dhamë lamtumirë nënës në prag të Krishtlindjes së vitit 1996. Kishte vdekur disa ditë më parë nga një sëmundje e gjatë dhe e dhimbshme, por fundi i saj ishte i papritur. Nuk mund të jetë e lehtë të organizosh një funeral në prag të Krishtlindjes, por në një farë mënyre im atë ia doli.
Madje më pas vendosi dhuratat e fëmijëve nën pemën e zbukuruar. Mendoj se di diçka mbi ato që prishin apo nuk i prishin Krishtlindjet. Prandaj u shqetësova kur lexova në shtypin britanik spekulimet se Boris Xhonson do të bëjë gjithçka për të“shpëtuar festën e Krishtlindjes”, si të ishte një Elf në një film për pushimet dimërore (një rol për të cilin ai është më i kualifikuar sesa për detyrën e kryeministrit).
Ideja e tyre është: që nëse vendi mbetet ende i bllokuar në fund të dhjetorit, festa e Krishtlindjes do të shkatërrohet. Por nëse bllokimi do të pezullohet përkohësisht, siç edhe pritet, Krishtlindja do të shpëtojë.
Duke pasur parasysh nevojën e dëshpëruar të Boris Xhonsonit për t’i kënaqur njerëzit, unë do të vija bast për skenarin e fundit. Mos më keqkuptoni:Unë i dua Krishtlindjet. Por, sa i përket familjes sime, preferoj të mos rrezikoj t’u jap të gjithëve “dhuratën” e pavullnetshme të Covid-19, pavarësisht nëse lejohet apo jo.
Nga ana tjetër, për sa i përket ekonomisë, Krishtlindjet kanë më pak rëndësi sesa mund t`a mendoni. Xhoel Ualdfogel, autor i librit “Scroogenomics”, vlerëson se nga 100 paund të shpenzuara në Britaninë e Madhe në një vit normal, pak më shumë se 50 cent mund t’i atribuohen blerjeve në muajin dhjetor.
Sigurisht, disa dyqanxhinj dhe restorante do të goditen rëndë nëse blerjet për Krishtlindje do të pengohen nga qeveria. Por le të jemi të sinqertë:sektorë të mëdhenj të ekonomisë sonë tashmë janë rrënuar, dhe kjo gjë do të kishte ndodhur me ose pa kufizimet e fundit. Pak njerëz duan të shohin një pantomimë gjatë një pandemie.
Covid-19 është një katastrofë e shëndetit publik; bllokimi është një reagim shumë i përgjithshëm dhe i kushtueshëm. Të dyja këto fakte janë të vërteta, pavarësisht nga periudha e vitit. Dhe ka argumente të besueshme si pro ashtu edhe kundra bllokimit, dhe nëse një bllokim ndikon vetëm tek Krishtlindjet, atëherë Hallouini dhe Dita e Shën Valentinit janë të parëndësishme.
Mendoni pak se çfarë i bën Krishtlindjet argëtuese:dhuratat, festat, këngët, bashkimet familjare dhe fëmijët e vegjël me sytë që i shkëlqejnë nga gëzimi.
Këtë vit, me ose pa bllokim, këngët e Krishtlindjeve do të duhet të këndohen në mjedise të hapura. Disa shkëmbime dhuratash dhe darka do të zhvillohen ende brenda “flluskave familjare”. Festimet e tjera, mund të shtyhen derisa të jenë të sigurta. Dhe Babagjyshi do t’i vendosë gjithsesi dhuratat poshtë pemës.
Krishtlindja është një shkas për debatin politik, jo sepse përfaqëson një mundësi unike për t’u argëtuar, por sepse përfaqëson një mundësi unike për ta bërë këtë në të njëjtën kohë. Tani termi “të gjithë” është i ekzagjeruar. Ka njerëz që nuk ua ndjen fare për Krishtlindjen: disa festojnë Divali ose Hanukah ose Bajramin e Madh, dhe të tjerët i festojnë Krishtlindjet më 7 Janar.
Por gjithsesi mbetet një festë kolektive. Në fakt Krishtlindja, prodhon një nga shpërthimet e pakta masive të një lumturie aq të madhe, sa të jetë e dukshme përmes analizave në Twitter. Në faqen Hedonometer.org, një grup studiuesish analizojnë emocione pozitive dhe negative në të gjithë botën, bazuar tek fjalët e përdorura në postimet në këtë rrjet social.
Dita e Krishtlindjeve bie në sy çdo vit. Dhe kjo pjesërisht për shkak të faktit se studiuesit e lidhin Krishtlindjen me mbiemrin “i lumtur”. Por ne s’duhet të arrijmë në përfundimin e gabuar se kjo festë është një moment gëzimi i paparë, por se gjatë Krishtlindjes gëzimi është kolektiv, ose të paktën i njëkohshëm.
Kjo është arsyeja pse gazetat e mbulojnë atë, dhe kjo është arsyeja pse qeveria nuk dëshiron që ta “shkatërrojë” atë. Por është gjithashtu diçka që secili prej nesh duhet ta ri-dimensionojë. Ju mund t’i shijoni shumë nga gëzimet e Krishtlindjeve – darka, tubimet familjare dhe argëtimin – në çdo kohë të vitit.
Por ndoshta këtë herë nuk do t`a kremtojmë të gjithë në të njëjtën kohë. Secili prej nesh duhet të reflektojë mbi atë që vlerëson tek Krishtlindja, dhe si t’i pohojë ato vlera pavarësisht rrethanave. Dhe sigurisht në çdo rast, do ketë edhe Krishtlindje të tjetra. Por për disa njerëz nuk është kështu.
Dikush nuk do të jetojë dot deri në Krishtlindjet e radhës, dhe mund të dëshirojë t`a përqafojë për herë të fundit familjen e tij. Të tjerët janë të izoluar në azilet e pleqve. Ata që vuajnë nga demenca, që janë të aftë për të shijuar vizitën e të afërmve të tyre, e kanë shumë të vështirë të bashkëveprojnë përmes Skype, apo me dikë që mban një maskë fytyre.
Por le t’i mbajmë Krishtlindjet larg këtij debati. Izolimi i njerëzve në shtëpitë e të moshuarve është i patolerueshëm. Por është po aq e patolerueshme t’i ekspozosh ata ndaj rrezikut të një vatre të re epidemike të Covid-19. Kjo është njëra nga zgjedhjet e dhimbshme që po bën shoqëria jonë.
Unë nuk jam i sigurt nëse kjo është gjëja e duhur, por jam i sigurt që përballë kësaj dileme, Krishtlindja është dytësore. Vdekja e nënës sime na goditi rëndë si familje. Ajo ishte ende e re, dhe ne gjithashtu. Ndoshta do të ishte më lehtë t`a duroja dhimbjen nëse ajo do të vdiste në nëntor, dhe pse duke vuajtur nga dhimbjet e tmerrshme, do të rezistonte deri në janar. Por nuk besoj se do të ndodhte kështu. / “Internazionale” – Bota.al
=========================
Lexo edhe: