“Filmat ‘e diktaturës’ na i shfaqnin jo vetëm si propagandë, por dhe si mjet torture…”

Kur luhet dhe pas filmave të dikurshëm… nga Visar Zhiti

Dom Gjergj Meta me maturi dhe përkujdesje dhe nostalgji të natyrshme solli një ndjesi, po dhe një qortim në përgjithësi e me të drejtë me rastin e lajmërimit të digjitalizimit të një filmi tjetër të radhës të Realizmit Socialist…

Pashë dhe komentet në FB e tij. Dhe më kujtoi çështjen e ngritur herë pas here për atë arsenal filmash të mbetur nga diktatura që në duhen shfaqur ende apo duhen ndaluar?

Dhe më dukej sikur flitej për një depo të rrezikshme me municion, ku ka armë aktive e bomba me sahat… Ndërkaq është kaluar me kohë jo në demontimin e tyre, por në një si “antiGërdec”, në rikonstruktimin teknik, në ngazëllimet e kësaj arritjeje filmike, etj, etj.

Më ka mbetur në mendje si i vlefshëm radikalizmi i shkrimtarit Agron Tufa, që me guxim dhe forcë, edhe si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, shfaqte mos honepsjen ndaj atyre filmave si ndaj një arti propagandizues dhe mashtrues, pra të dëmshëm. Dhe e kanë shoqëruar debate të shumta, me egërsi të kundërt.

Po kështu kujtoj që dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, eseist dhe gjuhëtar, ka bërë zbërthime me vlerë dhe estetikë mbi këta lloj filmash me rastin e riparimit teknik të ndonjërit prej tyre me gërnetë të socrealizmit.

Dhe janë ringjallur debatet…

Ndërkaq më është dukur absurd hovi revolucionar për t’i dalë për zot këtyre lloj filmave pse ke luajtur një rol pozitiv në ta, dy apo dhjetë, qoftë dhe mirë, me talent, madje me talent të madh, kur tjetër gjë është interpretimi aktoresk dhe tjetër përmbajtja e filmave, ideologjizimi i skajshëm si qëllim i tyre parësor.

Duke mos qenë kritik filmi, as teknik i riparimeve të tyre, as ideolog propagandistik, etj, nuk i jap vetes të drejtën të hyj në debate profesionale, por si qytetar, që i ka pësuar ata filma, me këtë dua të them se jam emocionuar prej tyre dhe më kanë diktuar një qëndrim timin, qoftë dhe të heshtur, por në statusin e sotshëm të Imzot Gjergj Metës pata dëshirën të komentoj dhe unë, i nxitur dhe nga komentet e tjera.

Gjithsesi çështja e filmave tē socrealizmit shqiptar më duket e pambyllur dhe e lënë pas dore si shumëçka me rëndësi.

Ndërhyrjen time ndërkaq unë po e sjell dhe këtu, nis thjeshtë me pyetje, që mund të jenë dhe përgjigjet e mia ndaj disa prej komenteve:

– Se mos duhen bërë filma të tjerë?…

– Se nuk mund të ushqesh të sotmen, aq më tepër një të ardhmen me gjellë të djeshme të prishur, madje helmuese, qoftë dhe duke i ndërruar pjatat me të reja…

– Se edhe kujtesa helmohet…

– Filmat e Realizmit Socialist nuk e kanë propaganden vetëm nga prapa, por edhe nga para, edhe në mes dhe janë realitet i shtrembëruar…

– Një i burgosur politik në Spaç i quante me humor të trishtē “filma të rreno-socializmit”. Na i shfaqnin jo vetëm si propagandë, por dhe si mjet torture… etj, etj.

– A thua jemi popull që u mësua me të keqen e s’bën dot pa këtë dr ogë?…

– Etj, etj.

– Ta japësh historinë gabim, do të thotë se ke fshirë histori të vërtetë, pra histori…

– T’i vazhdosh ato, është si të vazhdosh krimin ideologjik, që paraprin…

– Nuk po them as t’i ndalojmë me zell e as t’i ndreqim me kaq përkushtim e t’i mbrojmë me fanatizëm donkishotesk…

– Po sikur me ato para e atë vullnet, por me mendësi tjetër të bëjmë filma të rinj? S’mjaftohet? Se ato kishin dhe diktaturën, paratë e një populli të shtypur…

– Atëhere të paktën të mendojmë filma të rinj, të lirë! Kaq mund ta bëjmë…

Dhe këtu e ndërpreva komentin tim. Në botë ka dhe muzeume të filmit siç ka dhe të krimeve të nazifashizmit, edhe të komunizmit tani, ka dhe muzeume të torturës. Edhe aty mirëmbahen instrumentet e dhunës, por për t’i parë dhe kujtuar…

ObserverKult


Visar ZHITI

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: VAZHDIMISHT TRADHTOHET NJERIU

Poezi nga Visar Zhiti

Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

Tradhtohet njeriu
Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.

Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult