Fjalë të gatuara bukur

emin

Nga Mërgim Bekteshi

E i kallxova zotit/në fillim nuk kje fjala/po llamba(f.21). Ndoshta madhështia e poetit është të kontestojë edhe krijimet biblike, kur arrin të gjejë prova të bindshme dhe kjo mund të jetë si rrjedhojë e pakënaqësisë individuale shoqërore. Disa studiues  do ta përkufizojnë se poezia e Emin Z. Eminit është “poezi e ndjenjës, por e një ndjenje të veçantë, që është sa tokësore, aq e përjetshme” (prof. E. Kabashi). Në këtë mjedis jetësor, poezia mund të duket argëtuese, e lehtë për t’u krijuar, shumë shkruajnë vargje, por poetët e vërtetë në imagjinatën e tyre e bëjnë kapërcimin, thellohen më tej, vargu nuk është vetëm argëtues, por edhe kumtues, përfaqësues dhe tejet artistik. Ndoshta më e qëlluara është që poezia të lexohet jo vetëm me një frymë, por të ndihet ashti i saj.

Shtëpia botuese Littera, në vitin 2022,  botoi “Fjalë të bukëta” të autorit Emin Z. Emini, profesor i dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës. Libri është i ndarë në pesë tufa apo në pesë akte dramatike, siç do të emërtoheshin nga njohësit e dramaturgjisë. Emini ka vënë në përparësi tema të ndryshme në këtë libër, aq sa prekin të bukurën dhe madhërishmen e Kantit. Këto stërhollime dhe, do t’i quaja, pikëpamje dramatike, janë si rezultat që njohësit e dramaturgjisë dhe mishërimit me skenën, kanë aftësinë t’i sjellin me element poetik: midis qellës e detit/nji fytyrë gruaje. Në aktet dramatike në të kaluarën antike dhe atë mesjetare (koha e Shekspirit), aktrimi ngjante më shumë me recitim poetik, që shpërfaqnin dellin dhe dramatikën shoqërore.

Fjalëve vlerësuese të redaktorit të librit dhe poetit të njohur, Adem Gashi, për librin e Emin Z. Eminit: ”Gatesa lirike e Eminit, me një ornitologji të çuditshme, sado që përkëdhelshëm ngutet të na thotë se po na cicëron me fjalë të bukëta, ç’është e vërteta, buis nga myja e fjalëve dhe rrjedha na vjen plot ritme, krejt dalldisëse dhe marramendëse”, do t’iu shtoja edhe disa: këto cicërima janë më shumë se një habitat i veçantë, ku fjalët manifestohen me akte të shpërfaqura sa epiko-lirike e shkojnë edhe deri te pyetjet mjaft sugjestive: sa ditë djelli të duhen/ hanë me ardhur (f.24). Në ciklin e parë Grueja prej djelli gjejmë edhe perceptime shumë të pleksura kur poeti me dashje e vë në siklet lexuesin për të zgjidhur enigmën apo pyetjet e Sfinksit, deti s’asht veçse nji zgor/ qi zgjatohet me yrnek universi(f.35), pra krahasimtarja që përdor poeti në lexim të thellë, nuk është e çuditshme apo kur urrejtja shkon më larg për trupin qiellor: edhe sonte/hana/ njajo kurvë e përbotshme/qi rrnon natën e ditën ‘des (f.38). Në tufën e parë për gruan dhe diellin gjejmë edhe shumë koncepte të përbotshme si: guximi nuk asht armë/ me t’cilën munesh m’e vra frigën(f.44) apo kur autori zbret nga mendimet qiellore në tokën e sheshtë: fijeve t’flokut t’and/t’grunta/kokrrat e buk’s ua kam shkun’(f.47).

Në ciklin e dytë Graviteti trajta poetike merr një formë tjetër, deri diku edhe përplasje sa planetare aq biblike dhe njerëzore. Në vetë poezinë e titulluar, finesa mallëngjehet sa me pyetje idile : pse ma don e ma mallkon mkatin prej burri(f.87) aq më shumë trazohet nga vargu tjetër: mollën bashkë e kafshojmë/t’shpupluem fluturojmë(f.69), kur autori i bën bashkëpjesëmarrës në mëkatin biblik. Sepse, e bukura po e magjeps jo vetëm autorin, por edhe lexuesin. Në këtë dimension, thyerja e normave shoqërore karshi të bukurës është evidente dhe nuk zgjedh çmim, dhe graviteti është nismëtar  energjik për të krijuar një realitet të ri. Në këtë kujtesë të poetit, kemi edhe vargun tjetër me pyetje të dyshimtë: ndoshta/dashnija mallkim prej perëndivet asht/ndoshta/na s’ditëm m’u dasht’(f.64). Në këtë kohezion e pashmangshme është kataklizma, kur dëshirat kanë një rrjedhë jo të kënaqshme me proceset fizike të natyrës si: të përqafuem tue u puth’/deri n’kjamet/t’gurzuem kan’me mbet’(f.62).

E përudha nji gjeth është cikli tretë ku poeti është, siç prof. Emin Kabashi e cilëson: ”duke gërmuar ngultas gjithë peshën e madhe të përjetimit, si dhe duke njëjtësuar bindshëm në rrafshin e krijimit poetik”(f.9). Pra, siç thekson Kabashi, tani është një peshë e rënduar, sa nga ndonjë veprim i rënduar që flet për vdekjen aq edhe për lumturinë, për një rrugëtim sa të suksesshëm aq dhe me rreziqe. Në të gjitha poezitë gruaja kapedane është emëruesi i përgjithshëm, ajo del gjithnjë e lartësuar, duke i dhënë botës kuptimësi filozofike. Te Deka e burrit ulërima dhe thirrja përballë vdekjes është në intonacion me fuqinë mashkullore: as mundesh me piskatë as me belbzue/ kur sheh qysh ndrrohen stinët e mungesës(f.111), apo kur i përgjigjet mallëngjyeshëm kapedanes: i pavorr asht burri/qi s’din me dekë për hukamë/ kapedane (f.116).

Fryma ndihet thellë në tufën e katërt të librit që poeti e shquan me titull E kam llafin për frymën, diçka jo materiale dhe jo e prekshme që e përhumb atë në skenën e teatrit, do ta quaja. Pra, gjithë ai afsh njerëzor e sentimental që ngashërehet me subjektivitetin, i bën përshtypje të pamasë poetit: gjanat qi s’preken me dorë i adhuroj (f.123), pra në mjediset ku ato procese mund t’i ndiejmë, por nuk mund t’i prekim, psh., dritën e argjendtë  dhe na vë në mëdyshje nëse kjo dritë e magjishme është materie (grimcë) apo valë kur përhumben ndjenjat. Në këtë tufë poeti thellohet edhe me pamjen e Perëndisë si i gjithë njerëzimi, kur i bën pyetje vetes se si duket Perëndia. Por, autori e vë një përkufizim interesant: gjithmonë kam besue/ se asht dritë/ vizatue me bojna qjelle e mjegulle(f.131) e pastaj menjëherë ndërron mendje duke thënë: e s’kish ken gja tjetër/ call kenje qi ka pamjen t’ande/kapedane(f.131), pra edhe përballë arshit fryma ndaj bukurisë është e magjishme.

E pesta ndarje poetike, Kavall, përbëhet nga një poezi të vetme, por me dy variante, njëra në dialektin gegë e tjetra në standardin gjuhësor. Asnjërën nuk mund ta dallosh për kah bukuria dhe madhështia e vargut. Në vargun standard vargu trumbeton: Pikën e gjakut nga gishti e thith/Duf dashurie ia shqyen këmishën(f.157), ndërsa në variantin gegë e krahinor, afshi ka një duf ngulmues: Pikën e gjakut nga gishti thith/Duf dashnijet ia çkyen k’mishën(f.158). Për t’u kthyer te tufa e parë poetike, poeti, me një varg tjetër, përpos bukurisë tokësore dhe të imagjinuarit e parajsës, flet përmes vargut për lemzën fëmijërore, por që shpërfaq sinqeritetin më të thellë autorial: urrejtjes edhe ashtu kurr’nuk ia mësova emnin(f.50).

Poezitë e profesor Emin Z.Emini janë përplot dramatikë të shkruar me një variant të veçantë gegë, e që ndoshta edhe më së miri i përshtatet si për nga forma e rrëfimit poetik ashtu edhe për nga porosia dhe përmbajtja filozofike. Poezitë e tij, nuk janë poezi të lehta, kërkojnë mund për t’i trajtuar, sidomos në dimensionin kuptimor ato paraqesin edhe kodifikime të ndryshme dhe plot kuptimësi. Kështu, këto poezi i bëjnë nder poezisë shqipe dhe më të drejtë kryeredaktorja e shtëpisë botuese, Donika Dabishevci, u ka dhënë një hapësirë të veçantë botimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

EMIN Z. EMINI: DASHURIA E DETIT ME HËNËN